Vendosni fjalën kyçe....

Matësit inteligjentë të OSHEE, pas fazës pilot në Kashar edhe në tre rajone të reja


Pas instalimit të matësve inteligjentë në një projekt pilot në Tiranë, konkretisht në zonën e Kasharit për të parë efektet që sjell zbatimi, OSHEE Group duket se do të shtrijë këtë proces edhe në rajone të reja.

Një procedurë e çelur në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik  ka për objekt “Instalimin e Sistemit te matjes inteligjente te Bilancit te energjisë në kabinat elektrike TM-TU, në konsumatorët private, Software dhe integrimi i tyre me platformën MDM” me fond limit 119 milionë lekë apo rreth 1.15 milionë euro.

Referuar relacionit që shoqëron procedurën e hapur nga Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë jepen detaje mbi këtë projekt.

“OSSH sha. ka realizuar instalimin e matësve inteligjent në një numër Kabinash TM-TU. (matje bilanci). Gjithashtu në rajonin Tiranë është realizuar instalimi i matjes inteligjentë në kabina TM-TU dhe në konsumatorë fundorë në fidrat F7 dhe F8 që dalin nga N/Stacioni Kashar. Në vazhdimësi të investimeve të mëparshme OSSH sha. do të vazhdojë instalimin e matjes inteligjente edhe në vitet e ardhshëm në përmbushje të strategjisë së zhvillimit të sistemit të matjes në matje inteligjente. Instalimi i matëseve inteligjent parashikon kërkesat teknike për “Furnizim, Vendosje dhe Instalim të Sistemit të Matjes inteligjente të bilancit në kabinat elektrike të OSSH sh.a., të matësave inteligjent në konsumatorët fundor privat, Software-t dhe integrimet e tyre në platformën MDMS (Meter data menagment sisitem)”, duke përfshirë Sistemin Head End (HES)” shpjegon OSHEE.

Në një tabelë të veçantë relacioni specifikon se parashikohet që të instalohen të paktën 1622 matës inteligjentë në konsumatorë në disa rajone.

“Më këtë investim instalimi i matësve inteligjentë të bilancit të kabinave elektrike TM-TU do të bëhet në rajonin Shkodër (Shëngjin), rajonin Tiranë  dhe në njësinë Vlorë.  Instalimi i matësve inteligjentë  në konsumatorët fundorë privat do të bëhet në rajonet Shkodër, Durrës dhe në njësinë Vlorë” thuhet në relacion.

Konkretisht sipas tabelës 309 do të jenë në nënstacionin Lezhë, të paktën 274 në dy nënstacione në Shkodër, rreth 110 në Vlorë, 375 në Shkozet, 152 në Spitallë, 142 në Kavajë, 116 në Golem, 45 në Gjirin e Lalzit dhe 116 në Sallmone.

Instalimi i matësve inteligjentë është një projekt që flitet prej kohësh dhe që synon përveç lehtësive në faturim dhe procese të tjera të punës së OSHEE, të ulë edhe humbjet. Një studim i ERE në matësit e instaluar në Kashar doli në përfundimin se uljet në shpërndarje në këtë zonë u ulën me 7.5 për qind.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor