Shërbimi i kundërzbulimit i Pekinit “verboi” SHBA-në në Kinë një dekadë më parë, kur arrestoi sistematikisht një rrjet agjentësh kinezë që punonin për CIA-n. Rreth dy duzina agjentësh që jepnin informacion për SHBA-në u ekzekutuan ose u burgosën, mes tyre edhe zyrtarë të lartë kinezë.
CIA është ende duke luftuar për të rindërtuar aftësitë e saj të spiunazhit njerëzor në Kinë, objektivi kryesor i inteligjencës së agjencisë, sipas intervistave me zyrtarë të tanishëm dhe ish-zyrtarë amerikanë.
Boshllëqet e lënë SHBA-në me një kuptim të kufizuar të diskutimeve sekrete midis udhëheqësit kinez Xi Jinping dhe rrethit të tij të brendshëm për çështje kyçe të sigurisë si Tajvani dhe tema të tjera, thanë zyrtarët.
“Ne nuk kemi fare njohuri të sakta për planet dhe synimet e lidershipit në Kinë,” tha një ish-zyrtar i lartë i inteligjencës, i cili deri vonë kishte lexuar raportime të klasifikuara.
Forcimi i rrjetit njerëzor të spiunazhit të synuar në Kinë është një nga qëllimet e një ndryshimi titanik, por kryesisht sekret, në CIA dhe agjencitë e saj të spiunazhit amerikan. Ai vjen në kohën e një shndërrimi më të madh në politikën e sigurisë së SHBA-së, larg luftërave në mbarë botën dhe drejt përgatitjes për një konflikt të mundshëm të “fuqive të mëdha” me Kinën dhe Rusinë.
Pas dy dekadash gjuetie terroristësh, komuniteti i inteligjencës amerikane me 100 miliardë dollarë në vit po ristërvit personelin, po ridrejton miliarda në buxhete dhe po ripërgatit makineritë e shtrenjta të spiunazhit për t’u përqendruar te këta kundërshtarë të mundshëm.
Strumbullari nuk ka qenë i thjeshtë. Sulmi i befasishëm i Hamasit më 7 tetor ndaj Izraelit dhe lufta që pasoi në Gaza, dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë, kanë kërkuar vëmendjen e Shtëpisë së Bardhë dhe burimeve të inteligjencës, duke ndërlikuar përpjekjen e drejtorit të CIA-s, William Burns për të siguruar që Kina të jetë prioriteti kryesor afatgjatë. Një veteran i agjencisë tha se trajtimi i dy krizave, duke mbajtur një fokus të qëndrueshëm në Pekin, do testojë shkathtësinë e agjencisë.
Shtetet e Bashkuara, të cilat ia dhanë Izraelit përgjegjësinë për mbikëqyrjen e militantëve palestinezë në vitet pas sulmeve terroriste të shtatorit 2001 dhe ashtu si Izraeli u verbua nga sulmi i Hamasit, ka ridrejtuar disa burime të inteligjencës në konfliktin izraelito-palestinez në javët e fundit, thanë zyrtarët. Nuk dihet publikisht se sa të konsiderueshme janë.
Përplasja e papritur tregon se sa e vështirë mund të jetë, me burime të fundme spiunazhi, për të arritur ekuilibrin e duhur.
“E vërteta është se nuk mund të kemi burime që mund t’i shfrytëzoni në të gjithë botën,” tha një ish-zyrtar kundër terrorizmit.
Kina, të cilën administrata Biden e cilësoi si rrezikun më të madh për sigurinë amerikane, mbetet në krye të listës së detyrave të CIA-s, tha Burns për The Wall Street Journal.
“Ne po i afrohemi Kinës si një prioritet global, duke rrtur më shumë se dyfish burimet buxhetore të dedikuara për misionin e Kinës gjatë tre viteve të fundit dhe duke krijuar Qendrën e Misionit të Kinës si qendrën e vetme misionare të CIA-s për të bashkërenduar përpjekjet e plota të agjencisë për këtë çështje.”, tha ai.
“Edhe pse po ekuilibrojmë prioritetet e shumta duke përfshirë konfliktet e viueshme, ne mbetemi intensivisht të angazhuar në sfidën strategjike afatgjatë të paraqitur nga Kina.”
Në një mision të pazbuluar më parë, Burns udhëtoi në Japoni dhe Korenë e Jugut që nga sulmi i Hamasit, tha një zyrtar i CIA-s, pas një udhëtimi të raportuar publikisht në Pekin në maj.
Edhe pse Lindja e Mesme dhe Afganistani dominuan burimet dhe vëmendjen në vitet pas 11 shtatorit, agjencitë e inteligjencës amerikane nuk ndaluan kurrë së synuari Kinën në mënyrë agresive, sipas ish-zyrtarëve të përfshirë drejtpërdrejt në ato përpjekje. Ky fokus i inteligjencës u shtua në mesin e viteve 2000, thanë ata, por e gjithë qeveria e SHBA-së nuk e bëri Kinën një prioritet për të paktën një dekadë tjetër.
Mbikëqyrja Oruelliane
Qeveria e SHBA-së kurrë nuk e ka pranuar publikisht humbjen e agjentëve të saj kinezë midis viteve 2010 dhe 2012.
Sot, satelitët e spiunazhit të SHBA-së mbikëqyrin nga afër dislokimet ushtarake të Kinës dhe planet e modernizimit, ndërsa mjetet kibernetike dhe ato të përgjimit mbledhin një pjesë të madhe të komunikimeve kineze. Përtej kësaj, njohuritë e SHBA-së për planet e Xi-t vijnë kryesisht nga përfundimi dhe analizimi i deklaratave të tij të shpeshta publike, thanë zyrtarët.
Kina është një objektiv shumë më i ashpër i inteligjencës se sa ishte një dekadë më parë, kur agjentët humbën. Shteti kinez nën Xi Jinping-un që ka si prioritet sigurinë përdor sisteme të mbikëqyrjes Oruelliane që ndërlikojnë shumë operacionet e spiunazhit brenda vendit. Dhe inteligjenca amerikane duhet të gjurmojë përparimin e Kinës në fusha të ndryshme si inteligjenca artificiale dhe biologjia sintetike.
Të dy vendet janë përplasur për kufizimet e teknologjisë amerikane, manovrat ushtarake në det dhe në qiell dhe pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Dobësitë e Kinës, veçanërisht ngadalësimi i rritjes ekonomike dhe zvogëlimi i popullsisë, janë një tjetër kartë e paqartë në vlerësimin e kursit të saj të ardhshëm.
“Për fat të keq, qëllimet dhe objektivat e Kinës janë aq të mëdha sa që është vërtet shumë e vështirë të thuhet se po bëjmë një punë të shkëlqyer”, tha në një intervistë kryetari i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner.
Në fillim të viteve 2000, analistët e CIA-s filluan të paralajmërojnë shpesh për rritjen ekonomike dhe ambiciet ushtarake të Kinës, thanë ish-zyrtarët amerikanë. Kolektivisht, kjo rrjedhë e raporteve të fshehta të inteligjencës u bë e njohur në mesin e të brendshëmve të qeverisë si “Përmbledhja e frikshme e Kinës”.
Raportet sekrete dërguar Shtëpisë së Bardhë, Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera përshkruan modernizimin e planifikuar të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, zgjerimin e ardhshëm detar të Kinës dhe synimet e Pekinit për bazat jashtë shtetit.
CIA shfrytëzoi korrupsionin endemik në pjesën e sipërme të Partisë Komuniste dhe ministrive të qeverisë për të rekrutuar dhjetëra zyrtarë si agjentë me pagesë, thanë ish-zyrtarë të njohur me ngjarjet. Por në një goditje me shumë pasoja, ky rrjet u zhduk pasi Kina i kapi tradhtarët në mesin e saj një e nga një.
Një e metë në komunikimet e fshehta të CIA-s me agjentët e saj, të shfrytëzuara nga Pekini, është shkaku i dyshuar i goditjes, thanë ish-zyrtarët. Hollësitë e asaj që shkoi keq nuk dihen publikisht dhe është e paqartë nëse dikush në agjenci është mbajtur përgjegjës për këtë dështim.
“E tmerrshme. E tmerrshme. E tmerrshme”, tha një ish-zyrtar i lartë amerikan për humbjet në Kinë.
“Dhe unë kam dyshime nëse ka pasur ndonjë rikuperim që atëherë.”
Goditja e agjentëve pati efekte të thella. Ndodhi pikërisht kur Xi po përgatitej për pushtet. Tronditja në thellësinë e depërtimit të CIA-s ndihmoi në formësimin e theksit të përgjithshëm të liderit kinez mbi sigurinë dhe besnikërinë, tha një tjetër ish-zyrtar i inteligjencës amerikane.
Gjithashtu, të paktën për një kohë, zbehu përpjekjet e agjencisë për të rekrutuar të huaj në mbarë botën. Ndjenja ishte: “Pse të bëj një telefonatë nga një person amerikan, e di që kinezët u ekzekutuan me plumba pas koke”, tha ish-oficeri.
SHBA humbi rrjetin e saj njerëzor në Kinë pikërisht kur Xi u bë lider i Partisë Komuniste, në fund të vitit 2012, dhe më pas president disa muaj më vonë. Raporte të shumta, ndonjëherë të përditshme, të CIA-s parashikonin se ai do ishte një lloj tjetër lideri kinez, më i fuqishëm, nacionalist dhe i përqendruar te siguria, thanë zyrtarë tëtanishëm dhe ish-zbulues.
Disa zyrtarë thanë se analiza u anashkalua kryesisht nga Shtëpia e Bardhë e Presidentit Barack Obama, e cila shpresonte se ndërsa Kina rritej ekonomikisht, ajo do liberalizohej dhe do t’i bashkohej rendit botëror ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja. Kjo politikë ishte ndjekur nga administratat demokratike dhe republikane për dy dekada.
“Kishte shumë dëshpërim për ta besuar këtë,” tha Gail Helt, një ish-analist i CIA-s në Azinë Lindore.
Danny Russel, një ish-ndihmës i lartë i Obamës për Azinë, tha se inteligjenca u përfshi në diskutimet e politikave dhe, megjithëse e vlefshme, nuk parashikonte “që Xi do të bëhej ai lloj autokrati i fiksuar pas sigurisë që ka treguar”.
Kina e Xi-së ka ndjekur në mënyrë agresive pretendimet detare në Detin e Kinës Jugore, duke ngacmuar gjithnjë e më shumë Tajvanin me stërvitje ushtarake dhe orkestruar sulme të përsëritura kibernetike për të vjedhur sekrete dhe të dhëna personale nga qeveria e SHBA-së, ofruesit e kujdesit shëndetësor, gjigantët e teknologjisë, kontraktorët e mbrojtjes dhe të tjerë.
Kina gjithashtu rriti spiunazhin e saj njerëzor, duke përdorur shpesh faqet e mediave sociale si LinkedIn për të kontaktuar dhe rekrutuar ish-zyrtarë të inteligjencës amerikane. Sukseset e saj përfshinin Kevin Patrick Mallory, një ish-oficer i CIA-s, i cili ishte zhytur thellë në borxhe dhe shiti sekrete për para, duke përfshirë identitetin e oficerëve të inteligjencës amerikane për shkak të udhëtimit në Kinë. Mallory u dënua në vitin 2018.
Në gusht, Departamenti i Drejtësisë zbuloi arrestimin e dy marinarëve të marinës amerikane të akuzuar për ofrimin e informacionit ushtarak te Kina. Të dy ishin shtetas të natyralizuar amerikanë të lindur në Kinë. Wenheng “Thomas” Zhao u deklarua fajtor për dy akuza në tetor. Jinchao “Patrick” Wei u deklarua i pafajshëm.
Përpjekjet e rekrutimit
Në një strumbullar që u përshpejtua pas vitit 2020, CIA, Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes dhe agjencitë e tjera të spiunazhit të SHBA-së shkurtuan shpenzimet për antiterrorizmin dhe objektivat e tjerë, përfshirë Lindjen e Mesme, për të financuar programe të zgjeruara për të depërtuar në qeverinë e Kinës, thanë zyrtarët dhe ish-zyrtarët.
Numrat janë të klasifikuar, por zyrtarët i përshkruajnë ndryshimet buxhetore si të rëndësishme. Burns bashkoi një Qendër të misionit të CIA-s për Iranin të krijuar nga një qendër paraardhëse në një njësi më të madhe të përqendruar në Lindjen e Mesme, një lëvizje që zyrtarët thanë se nuk pasqyronte një fokus të zvogëluar ndaj Teheranit.
Burns tani mban një takim javor kushtuar Kinës, duke mbledhur togerët kryesorë në zyrën e tij në katin e 7-të në selinë e CIA-s në Langley. Menjëherë pasi u bë drejtor në 2021, ai krijoi një qendër misioni për Kinën. Njësi të tilla bashkojnë operatorët e CIA-s, analistët e inteligjencës, ekspertët e teknologjisë dhe specialistë të tjerë së bashku për të punuar në një objektiv të vetëm.
Një zyrtar i inteligjencës amerikane e përshkroi qendrën e Kinës si “një rol mbrojtës”, duke vendosur prioritete të inteligjencës për Kinën në të gjithë agjencinë dhe duke punuar për të mbështetur zyrat në selinë dhe stacionet e CIA-s në mbarë botën.
Agjencia po rekruton gjithashtu nga jashtë dhe brenda fuqisë së saj punëtore.
“CIA po mbështet fort tek njerëzit që tashmë punojnë këtu, për të mësuar gjuhën mandarine “ tha një zyrtar i dytë i inteligjencës amerikane. Burns ka thënë se agjencia ka nevojë për folës shtesë të gjuhës mandarine, por edhe më shumë oficerë të aftë në teknologji, pika kryesore e konkurrencës SHBA-Kinë.
“Numrat janë bërë, do të thosha, dukshëm më të mirë për sa i përket personelit, shpenzimeve dhe përqendrimit te Kina,” tha senatori Mark Warner, kryetar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit.
Por Warner dhe të tjerët thonë se CIA ende duhet të bëjë një ndryshim të thellë kulturor, duke shkuar përtej fokusit të saj tradicional te liderët, ushtritë dhe ekonomitë e huaja. Rivaliteti SHBA-Kinë luhet në fusha të tilla si llogaritja kuantike, shkrirja bërthamore dhe mineralet e rralla të tokës.
Burns në vitin 2021 krijoi një njësi tjetër të re, mandati i së cilës përfshin teknologji të reja dhe në zhvillim, dhe shtrirje në sektorin privat të SHBA-së.
Dhe shumë nga ato që agjencitë amerikane të spiunazhit duhet të dine, fshihen në pamje të qartë, nëse mund të gjenden në një memorie gjithnjë e në rritje të inteligjencës me burim të hapur që gjithashtu paraqet sfida të reja për inteligjencën amerikane.
Të dhënat me burim të hapur përfshijnë miliarda postime në media sociale, baza të të dhënave të mëdha tregtare dhe punime akademike. Disa agjenci spiunazhi kanë krijuar ose zgjeruar njësi të inteligjencës me burim të hapur dhe Drejtorja e Inteligjencës Kombëtare Avril Haines krijoi një grup të vogël zyrtarësh për të mbikëqyrur përpjekjet.
Shumica dërrmuese e inteligjencës amerikane për Kinën tani vjen nga përgjimi elektronik – përgjimi i telefonatave, emaileve dhe çdo formë tjetër komunikimi dixhital, treguan zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët. Inteligjenca e sinjaleve të tilla rrallë mund të zëvendësojë spiunët njerëzorë në paragjykimin e qëllimeve ose dobësive të vërteta të një kundërshtari, thonë zyrtarët.
Rekrutimi, apo edhe kontaktimi i agjentëve kinezë është më i rrezikshëm se kurrë. Sistemi i përhapur i mbikqyrjes së Pekinit përdor analiza të mëdha të të dhënave për të nxjerrë burime nga miliona kamera në qytetet e mëdha, të kombinuara me ushtritë e vëzhguesve njerëzorë.
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të qenë në gjendje të përmirësojmë aftësinë tonë, me vendosjen e teknologjisë së re nga Kina dhe kombet e tjera, për të qenë në gjendje të veprojmë brenda vendeve të tyre për të marrë të dhëna inteligjente,” tha Turner, kryetar i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve.
Praktikat e Kinës shtrihen jashtë vendit në vende të treta, ku operativët e CIA-s përpiqen të rekrutojnë zyrtarë dhe biznesmenë kinezë. Ish-zyrtari i lartë amerikan tregoi se si oficerët e inteligjencës amerikane në një vend të Amerikës Latine, që supozohet se vepronin të fshehtë, u ndoqën nga një ekip i personelit kinez, i cili i regjistroi në video teksa ishin ulur në një restorant.
Në Rusi, CIA ka pasur sukses më të madh. Ajo mori planin e fshehtë të presidentit Vladimir Putin për pushtimin në Ukrainë, vodhi dhe më pas publikoi komplotet e dezinformimit të Kremlinit dhe i dha Shtëpisë së Bardhë përparësi për sa i përket informacionit se shefi i Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin do niste kryengritjen e tij në qershor.
Rusia e Putinit, me çifligjet e saj të grindjeve dhe pakënaqësinë e elitës për luftën e kushtueshme të Ukrainës, është një “mjedis i pasur me objektiva” në gjuhën e spiunazhit, i mbushur me zyrtarë të pakënaqur, oficerë ushtarakë dhe biznesmenë që mund të binden të tregtojnë njohuritë e brendshme për para. Si CIA, ashtu edhe FBI kanë postuar reklama në mediat sociale, duke joshur rusët që mund të jenë të gatshëm të punojnë me qeverinë amerikane.
“Kjo pakënaqësi krijon një mundësi një herë në brez për të rekrutuar spiunë”, tha Burns në një fjalim në korrik.
“Nuk do e lëmë të shkojë dëm.”
Sfida në Kinë është e ndryshme dhe zyrtarët e inteligjencës amerikane pranojnë se mbledhja e inteligjencës njerëzore atje është e vështirë.
“Është me rrezik të lartë dhe është e vërtetë që ndonjëherë gjërat komprometohen,” tha David Marlowe, zëvendësdrejtori i CIA-s për operacionet, në një paraqitje të rrallë publike në maj, duke iu referuar me sa duket agjentëve që ekspozohen.
“Por kjo nuk e pakëson përgjegjësinë tonë për të qenë të suksesshëm.”
Ministria e Sigurisë së Shtetit të Kinës tha në gusht se kishte arrestuar dy shtetas kinezë që spiunonin për CIA-n, të cilët të dy ishin rekrutuar jashtë Kinës. Nëse janë të sakta, zbulimet ilustrojnë si shtytjen e vazhdueshme të spiunazhit të SHBA-së, ashtu edhe fushatën agresive të kundërspiunazhit të Kinës.
Burns, në një forum sigurie të korrikut në Aspen, Colorado, tha se CIA po rekruton zyrtarë dhe biznesmenë kinezë të vendosur për të spiunuar për Uashingtonin.
“Ne kemi bërë përparim dhe po punojmë shumë gjatë viteve të fundit për të siguruar që kemi një aftësi të fortë inteligjence njerëzore për të plotësuar atë që mund të fitojmë përmes metodave të tjera,” tha ai.
Ka hapje të mundshme edhe në Kinë, thonë zyrtarët e inteligjencës, në pakënaqësinë në rritje me lidershipin autokratik të Xi-t dhe një ekonomi që ka ngecur.
“Ata janë një objektiv i vështirë,” tha një nga zyrtarët e inteligjencës, “jo një objektiv i pamundur”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani