Vendosni fjalën kyçe....

Akuzohet se porositi vrasjen e kunatit të Erion Alibejt, Franc Çopja ekstradohet nga Dubai në Belgjikë


Autoritetet belge kanë pritur nga Emiratet e Bashkuara ekstradimin e Franc Çopajt i akuzuar për vrasje.

I njohur ndryshe edhe si Franc Gergely (31) mbërriti në Zaventem me avion mëngjesin e sotëm, raportojnë mediat belge.

Gergely është kreu i një klani të pamëshirshëm të drogës shqiptare dhe akuzohet nga autoritetet belge si urdhëruesi për ekzekutimin e një rivali në Molenbeek.

Franc Çopja nga Elbasani akuzohet se ka porositur eliminimin mafioz të Arjan Spahiut, kunatit të Erion Alibejt. Florenc Meçe (Gega) si dhe Elvis Murati, kanë bërë ekzekutimin.

Sipas autoriteteve belge, Arjan Spahiu që u qëllua sapo doli nga një lokal në Molenbe, dyshohet të jetë ekzekutuar si pasojë e përplasjeve mes bandave kriminale në vendin tonë, grupi i Erion Alibejt dhe nga ana tjetër vëllezërit Çopja.

Krisja e parë mes bandave nisi vite më parë për humbjen e 50 kg kokainë në Britaninë e Madhe dhe dhunimin e një të riu atje, pasi dyshohej se kishte grabitur drogën.

Erion Alibej u mor në pyetje nga prokurorët belgë në Elbasan dhe akuzoi familjen Çopja për të gjitha të zezat që sipas tij i ishin bërë familjes së tij.

Ndërkohë, po sipas dëshmisë së tij, Arjan Spahiu kishte hulumtuar për vrasjet mes tyre dhe kjo është një nga arsyet që e kanë vrarë.

Erjon Alibejt iu vra vëllai Endriti më 29 dhjetor 2018, bashkë me xhaxhain Arben Dylgjerin dhe turkun Erdal Durunai, ngjarje e mbetur e pazbardhur.

Sot Alibej, është në burg dhe akuzohet për porositjen e dy vrasjeve ku mbetën të vdekur Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj në 2020-ën.