Vendosni fjalën kyçe....

Begaj viziton ushtarët shqiptarë të KFOR-it në Pejë


Presidenti Begaj shkëmbeu sot me efektivët shqiptarë që ndodhen në Komandën Rajonale Perëndim, “Camp Villagio Italia”, KFOR, Pejë, Kosovë urimet për vitin e ri 2024.

Presidenti u takua me Kolonel Gabriele Vacca, Komandantin e bazës ushtarake.

Në këtë takim Presidenti shprehu edhe një herë vlerësimin e tij për KFOR -in, si një histori suksesi.

“Ajo që ju po bëni këtu është shumë e rëndësishme në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajon”, – i tha Presidenti Komandantit Vacca.

Vizita e Presidentit vijoi me një takim me trupat shqiptare që shërbejnë në bazë, të cilët i falënderoi për shërbimin që kryejnë ndaj atdheut dhe flamurit, si dhe uroi një vit të ri me shëndet, begati e paqe për ta.

“Ju falënderoj për devotshmërinë, profesionalizmin dhe përgjegjësinë më të cilat kryeni detyrat tuaja.
Sot gjendeni larg familjeve tuaja, por të jeni të sigurt se jeni gjimnonë në mendjet dhe zemrat tona”,
– iu drejtua Presidenti Begaj efektivëve ushtarakë.

Ndër të tjera, Presidenti shtoi: “Si përfaqësues të vendit tonë në misione paqeruajtëse, ju e lartësoni emrin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve kudo që ndodheni. Ju mishëroni vlerat tona më të mira. Falë punës suaj, vendi ynë konsiderohet partner i besueshëm në NATO.”

“Në kontekstin aktual të sigurisë botërore, angazhimi juaj përbën një kontribut kritik”, theksoi Presidenti.

“Shqipëria do të vijojë të kontribuojë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon e më gjerë si anëtare e Nato-s.
Natyrisht, kjo kërkon rritje të buxhetit të Mbrojtjes dhe mbështetje për Forcat tona të Armatosura, kërkon mbështetje të familjeve për familjet tuaja dhe krijimin e kushteve, që ju të trajtoheni e të përgatiteni sa më mirë.

Sot NATO nuk është vetëm një aleancë ushtarake, por edhe roje e vlerave të bashkësisë demokratike në botë, ndaj ne do të vijojmë angazhimin tonë maksimal në mbrojtje të vlerave të qytetërimit perëndimor, në të cilin bëjmë pjesë”.