Deputeti Ervin Salianji, ka reaguar për vendimin e GJKKO, që caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, me kërkesë të SPAK.
Salianji u shpreh se arrestimi i Berishës nik është lajm i mirë dhe se kjo e sotmja (30 dhejtor 2023) është ditë dëshpëruese për demokratët dhe opozitësn.
Reagimi i Ervin Salianjit:
Që ditën e parë që jam angazhuar në politikë, kam kerkuar barazi para ligjit. Por, kthimi i heqjes së pandeshkueshmërisë si qëllim më vete, pa proces të pastër ligjor e kushtetues, e pa prova të qarta e transparente, mund të jetë po aq e rrezikshme sa ruajtja e pandeshkueshmërisë. Selektiviteti me i keq se të dyja bashkë.
Që kur kam nisur të kem angazhim publik, kam shprehur si shqetësim themelor pandëshkueshmërinë, ka qënë pengesë thelbësore për vendin dhe të ardhmen e tij imuniteti i të fortëve ndaj ligjit! E mezipritur dita e renies së pandeshkueshmērisë.
Udheheqësit dhe politikanët që bejnë çte duan vetë mbi ligjin e mbi të tjerët, perfitojnë e ndërkaq predikojnë të kundërtën e kesaj, janë padyshim e keqja e kësaj shoqërie.
Nuk kam asnjë kompleks të them se arrestimi i Sali Berishës nuk është lajm i mirë e është ditë dëshpëruese për demokratët e për opozitën.
Nga ana njerezore solidarizohem me të plotësisht. Politikisht, ashtu siç deklaron dhe ai vetë, nuk kërkoj as nuk do të kerkoj kurrë trajtim preferencial ndaj tij. Por, do të doja që faktet të ishin të qarta, e kjo histori të mos ishte mbuluar nga mjegull njëanshmerie.
Duhet ta themi qartë e pa medyshje, Shqiperia sot vuan dhe lengon nga korrupsioni agresiv e i pashembullt qeveritar i 10 viteve të fundit.
Jam i ndergjegjshëm që nuk është e lehtë për drejtësinë e re të hetojë bosët e aferave me qindra milione euro! E për këtë e kemi inkurajuar!
Ama nëse duan t’i sherbejnë Shqipërisë, nëse duan të justifikojnë besimin e njerezve, shpresat e pritshmeritë e tyre, SPAK e GJKKO, lypset të manifestojnë kurajo, guxim e forcê të tregojnë paanësi e pavarësi e të shkojnë tek burimi i zullumit në këtë vend!
Nxitimi dhe masa e sotme ndaj Sali Berishës është joproporcionale, kufizimi i të drejtave politike shkel të drejtën kushtetuese për te ushtruar funksionin e deputetit dhe duket sikur pushteti gjyqësor i mbivendoset atij legjislativ!
Ky tejkalim i sensit të së drejtës përforcon perceptimin për drejtësi selektive.