Vendosni fjalën kyçe....

Salianji: Goditja e Berishës synon të mbjellë frikë e përçarje


Deputeti i PD-së Salianji pohoi sot se ndëshkimi pa prova të qarta është më i rrezikshëm se pandëshkueshmëria.

Demokrati theksoi se Shqipëria lëngon nga korrupsioni i pashembullt i qeverisë Rama që në 10 vite ka bërë batërdinë në çdo fushë.

“Prej dy vjetësh nuk kam hyrë në këtë godinë dhe jam kthyer sot qëllimisht dhe me përkushtim të plotë sepse sot më shumë çdo ditë tjetër duhet të jemi në krah të njëri-tjetrit. Që ditën e parë që jam angazhuar në politikë, kam kërkuar kthimin e heqjes së pandëshkueshmërisë si qëllim më vete, por pa proces të pastër ligjor dhe kushtetues dhe pa prova të qarta dhe transparente, mund të jetë po kaq e rrezikshme se pandëshkueshmëria. Selektiviteti më i keq se të dyja bashkë. Duhet ta themi qartë dhe pa mëdyshje se Shqipëria vuan dhe lëngon nga korrupsioni agresiv dhe i pashembullt i një qeverie që në 10 vite thuajse ka bërë batërdinë në çdo sektor dhe në çdo element të financave publike. Ndërkohë që pritej goditje e korrupsionit të nivelit të lartë qeveritar, vjen lajmi për izolimin e liderit të opozitës.” – tha Salianji.

Lidhur me masën e arrestit në shtëpi për kreun e opozitës Berisha, Salianji tha se ajo është kufizim i të drejtave politike si dhe shkel të drejtën kushtetuese që Berisha të ushtrojë funksionin e deputetit duke i mbivendosur kësisoj pushtetit legjislativ, atë gjyqësor.

“Nxitimi dhe masa ndaj liderit të opozitës, Sali Berishës, është minimialisht joproporcionale, është kufizim i të drejtave politike dhe shkel të drejtën kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit, duke i mbivendosur pushtetit legjislativ, pushtetin gjyqësor. Kjo bën që të jemi në tejkalim të së drejtës dhe përforcon perceptimin për padrejtësi dhe selektivitet. Liria ka simbolikat e saj dhe më kryesorja prej tyre është opozita. Garancia për të pasur opozitë është garancia për të ushtruar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Lideri i opozitës është izoluar duke i hequr edhe të drejtën elementare të komunikimit dhe të shprehjes, dhe pa diskutim të ushtrimit të funksionit parlamentar. Mijëra shqiptarë, demokratë dhe opozitarë, nuk janë të gatshëm që të dorëzojnë asnjë prej lirive të fituara në këto 34 vite, askush nuk do të jetojë në një sistem njëpartiak.” – shtoi Salianji.

Në fund deputeti demokrat tha se goditja ndaj Berishës ka për qëllim instalimin e një sistemi njëpartiak përveç autokracisë që është instaluar tashmë në çdo institucion të vendit.

Sipas Salianjit, goditja e Berishës synon të mbjellë frikë e përçarje ndërsa bëri thirrje që demokratët e qytetarët t’i përgjigjen situatës me bashkim e kurajo.

“Goditja ndaj Sali Berishës ka për qëllim të instalojë një sistem njëpartiak përtej autokracisë që është instaluar në çdo institucion të këtij vendi, duke e bërë inekzistente ndarjen e pushteteve. Goditja ndaj Sali Berishës ka për qëllim të mbjellë frikë dhe përçarje dhe ne duhet t’i përgjigjemi me bashkim me kurajo. Demokratët janë dhe mbeten në këmbë për t’u përballur me këtë qeveri, siç janë përballur në vite, tanimë më të shumtë, edhe më të bashkuar. Nëse ky izolim ka kërkuar të mbjellë përçarje dhe frikë, personalisht erdha këtu për t’u përgjigjur se do bashkohem dhe do përballem. Bashkimi sot nuk duhet të vihet në diskutim dhe pas tij duhet të fillojë përballja me regjimin.” – nënvizoi Salianji.