Biznesmeni Gjergj Luca nga Madridi ka bërë një video në të cilën përmend Sali Berishën i cili e nisi vitin e ri 2024 i mbyllur në katër muret e shtëpisë në masë sigurie për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Në video Luca shprehet se Berisha po vuan mëkatet e tij.
“Këtë fillimviti jam në Madrid jo për pushime, por për punë e nuk rrija dot pa takuar këtë mikun tim Don Kishotin, i cili 8 vjet rresht mi vodhi ëndrrat e mia.
Por unë si Sanço Panço praktik e empirik që jam, ia fal vjedhjen që më bëri. E teksa tani ai rri mbyllur brenda shtëpisë së tij duke vuajtur mëkatet unë ndjej keqardhje dhe përsëri e fal, e fal, e fal…”, shkruan ai.
“Mbylle historinë dhe gëzon nipat e mbesat”, thotë mes të tjerash Luca në video, duke i dhënë një mesazh Berishës.
Më herët në një prej rrëfimeve të tij Luca ka treguar se si iu shkatërrua biznesi dhe u përndoq gjatë qeverisjes së Berishës.