Vendosni fjalën kyçe....

Risitë e buxhetit të Tiranës


Buxheti i bashkisë së Tiranës për 2024 është 33.4 miliard lek me një rritje prej 16% krahasuar me atë të vitit të kaluar. Ky buxhet do të jetë i fokusuar në zhvillimin e qytetit dhe rritjen ekonomike. Një ndër projektet do të jetë ai për linjën e shpejtë të autobusëve me korsi të dedikuara dhe pa ndërprerje. Më konkretisht bëhet fjalë për 3 linjat: Unazën, Kombinat-Kinostudio dhe Tiranën e Re.

“3 linja të autobusit të shpejtë që sillet sikur të ishte një tramvaj me linjë të dedikuar për tre linjat më të përdorura nga qytetarët në Tiranë. Pra linjë e dedikuar që mund të aksesohet vetëm nga autobusi, ku nuk mund të futen apo të parkojnë makina. Kjo do të rrisë shpejtësinë, frekuencën e autobusëve. Një investim tek një sistem i mirë transporti, modern që do të jetë edhe 100% elektrik do të jetë një vlerë e shtuar për qytetin e Tiranës”-shprehet Genci Kojdheli, Drejtor i Përgjithshme i Projekteve Strategjike. Shtimi i objekteve arsimore do të jetë sërish në fokus edhe në këtë buxhet të këtij viti të ri, kryesisht në zonën e Astirit, Liqenit të thatë dhe Saukut.

“Është një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit vijëmsia e projekteve që kemi për riparimin apo ndërtimin e shkollave të reja. Janë të buxhetuara për vitin 2024, 5 shkolla të reja teksa do të hapet dhe loti i dytë për PPP e shkollave që do të ndërtojë edhe 8 shkolla të reja. Sigurisht që këto nuk janë të gjitha në një vit sepse ndërtimi i një shkolle merr pak më shumë kohë”.

Bashkia ka studiuar edhe mundësinë për ndriçimin LED të qytetit, çka çon në uljen e konsumit të energjisë dhe rrit sigurinë publike.

“Për të zëvendësuar pjesën më të madhe të kokave ndriçuese të sistemit të ndriçimit me teknologji LED e cila mundëson kursimin deri në 60%. Teksa kursejmë ka një impakt shumë të mirë mjedisor sepse teknologjia LED nuk ndot dhe rrit atë që quhet siguria publike pasi ndriçimi më i mirë i rrugë primare, dytësore dhe terciare rrit edhe shikueshmërinë në rrugë dhe sidomos për njerëzit që punojnë natën apo lëvizin natën”.
Një tjetër projekt me rëndësi, është ai i lumit Lana, për zgjatimin që do të bëhet nga pallati me shigjeta deri në Kashar. Po ashtu edhe rehabilitimi i rrugëve, kryesisht i atyre rurale, për të bërë lidhjen me pjesën e qytetit. Sheshi ne bulevardin e ri, apo dhe zona ekonomike e Tiranës ku pritet të punësohen 5 deri në 7 mijë vetë.