Ardit Kambo, 22 vjeç, shoferi i cili shkaktoi aksidentin e frikshëm mbrëmjen e 1 janarit në Tiranë, pranë kryqëzimit te ura e rrugës së Elbasanit, është arrestuar nga policia, pasi ka rezultuar se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.
Pas aksidentit 22-vjeçari iu nënshtrua testit të alkooli me aparatin Drager nga ku ka rezultuar se nuk ka konsumuar pije alkoolike. Por më pas ai u shoqëruar në polici ku iu bë testi me aparatin ‘Aquila Scan’, dhe ka rezultuar nën ndikimin e lëndëve narkotike.
Ardit Kambo cili drejtonte një makinë ‘Mercedes Benz’, rreth orës 19:30 të 1 janarit, humbi kontrollin duke hipur mbi trotuar dhe më pas duke u përplasur me kangjellat e rrugës dhe pemëve e duke kaluar në krahun tjetër të rrugës nga zhvendosja e kangjellave. Fatmirësisht në momentin e aksidentit nuk kishte këmbësor, duke shmangur kështu një tragjedi.
Ndaj drejtuesi të mjetit shtetasi Ardit Kambo është marrë masa administrative gjobë në shumën e 82.000 (tetëdhjetë e dy) mijë lekëve. Mbi 22-vjeçarin rëndon vepra penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.