Sulmet e rënda me raketa ruse dhe dronë në Kiev dhe qytetin verilindor të Kharkiv vranë dy civilë, plagosën dhjetëra dhe shkaktuan dëme të mëdha të martën, thanë zyrtarët ukrainas.
Sulmet goditën ndërtesat e banimit dhe infrastrukturën civile, disa orë pasi Presidenti Vladimir Putin tha se një sulm ajror në qytetin rus të Belgorodit për të cilin Moska tha se vrau 24 civilë dhe fajësoi Ukrainën “nuk do të mbetet pa u ndëshkuar”.
Rusia ka rritur sulmet ajrore në Ukrainë gjatë periudhës së Vitit të Ri dhe të premten kreu sulmin e saj më të madh ajror të luftës pothuajse dyvjeçare në Ukrainë, duke vrarë të paktën 39 persona, përcjell Reuters.
Rusia sulmoi me valë raketash të ndryshme gjatë orës së pikut të mëngjesit të së martës. Autoritetet ushtarake lëshuan alarme ajrore që zgjatën për të paktën tre orë.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko tha se një grua e moshuar kishte vdekur në një ambulancë pasi u plagos. Ai më herët kishte thënë se të paktën 16 persona ishin plagosur në kryeqytet.
Ai tha se tubacionet e gazit ishin dëmtuar në lagjen Pecherskyi të Kievit dhe energjia elektrike dhe uji ishin ndërprerë në disa rrethe të kryeqytetit. Ekipet e shpëtimit po shuanin zjarret në disa vende, tha ai
Humbja e energjisë elektrike dhe ujit solli kujtimet e dimrit të kaluar kur Rusia goditi rrjetin energjetik me raketa, duke shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe duke zhytur miliona në errësirë.
Oleh Synehubov, guvernatori rajonal i Kharkiv, tha se pjesa qendrore e qytetit të Kharkiv u sulmua rreth orës 07:30 (0530 GMT). Ai tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se një person ishte vrarë nga sulmi dhe 41 ishin plagosur.