Gjatë 10 mujorit të vitit 2023 bashkitë në të gjithë vendin kishin investuar një total prej 5,9 miliardë lekësh (56 milionë euro) në infrastrukturën rrugore të territorit të tyre sipas të dhënave të Ministrisë së Financave që këtë vit për herë të parë bëri një raportim të detajuar të investimeve të pushtetit vendor.
Nga investimet totale, Bashkia e Kamzës kryeson për nga madhësia e projekteve dhe shumë e investuar. Mbi 1,2 miliardë lekë janë investuar në këtë bashki në 10-mujorin e vitit 2023, shumë kjo e barabartë me 20 për qind të investimeve totale të krejt pushtetit vendor në infrastrukturën rrugorë në këtë periudhë. Investimi më i madh në këtë bashki ishte në pedonalen e re dhe liqenit të Paskuqanit me vlerë 112 milionë lekë ose rreth 1 milionë euro.
Një vlerë të ngjashme me Bashkinë e Kamzës investoi edhe Bashkia e Tiranës me rreth 1,2 miliardë lekë për të njëjtën periudhë.
Bashkitë e tjera edhe pse me popullsi më të mëdha dhe nevoja të paplotësuara infrastrukture për shkak të turizmit në zhvillim kanë investuar shumë më pak në infrastrukturën rrugore. Psh sipas të dhënave nga Ministria e Financave (te dhënat e thesarit) bashkia e Durrësit ka investuar në infrastrukturën rrugore lokale vetëm 155 milionë lekë ose pak më shumë se 1,3 milionë euro edhe pse qyteti ka ende shumë nevojë të përmirësojë infrastrukturën bregdetare.
Investimet e bashkive për të gjitha funksionet, rrugë, transport, shëndetësi, arsim, menaxhim mbetjesh etj janë planifikuar në një total prej 38 miliardë lekësh (360 mln euro), por deri në tetor ishin realizuar vetëm 13,7 miliardë lekë ose 36 për qind e planit vjetor. Nga 13.7 miliardë lekë të investuara në 10 mujor 5,9 miliardë ose 43 për qind shkuan për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore.
Komponenti i investimeve paraqet luhatshmëri të lartë varësisht kontributit nga fondet për investime të kushtëzuara (përfshirë FZHR-në). Në të kundërt, investimet e kryera me fonde të veta të bashkive ndonëse në rritje vjetore, shënuan vlera të ulëta në dy vitet e fundit.
Në pesë vitet e fundit fondet për investime nga qeveria qendrore (në trajtën e fondeve të kushtëzuara përfshirë fondet nga FZHR) kanë kontribuar në rritjen e investime në territoret e bashkive, niveli i tyre mbetet ende i ulët përkundrejt vizionit zhvillimor afatgjatë. Në nivel qeverie të përgjithshme, shpenzimet kapitale totale përfaqësuan rreth 5.4% të PBB-së në vitin 2022, rreth 0.2 pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Në nivel vendor, shpenzimet kapitale të kryera me fonde të veta në vitin 2022 përfaqësuan rreth 0.6% ndaj PBB-së nominale, raport ky i njëjtë me vitin e mëparshëm. /B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor