Ish-kryeministri Berisha ka dalë nga dritarja e banesës ku mbahet në arrest shtëpie dhe ka folur për mbështetësit e tij që brohorisnin nga poshtë pallatit.
Ai tha se në Shqipëri ligji e Kushtetuta nuk ekzistojnë më por janë zëvendësuar me vullnetin e Edi Ramës.
Berisha tha se Shqipëria e Ramës është njësoj si Mianmari, Irani e Rusia.
“Jetojmë më një vend ku ligji nuk ekziston, shkelmohet çdo ditë. Ku Kushtetuta zëvendësohet me vullnetin e një njeriu që ka vjedhur e vjedh në 10 vite më shumë se të gjithë kryeministrat shqiptarë e pushtues të të gjitha kohërave. A ka mision më të shenjtë se të firmosim shpëtimin e demokracisë. A ka gjë më të madhe se të kthejme vendin në dheun e shqiptarëve. Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve, Shqipëria e shqiptarëve. Shqipëria e Edi Ramës dhe Xhorxh Sorisit është Shqipëria e demoralizuar. Është koha të ngrihemi, është koha e guximtarëve, sakrificave. Ne do fitojmë. Fitore, fitore, fitore.” – tha Berisha.
Berisha u la në arrest shtëpie nga Gjykata e Posaçme më 30 dhjetor 2023. Ai po hetohet për privatizimin e terreneve të ish-klubit Partizani, bashkë me dhëndrin e tij Jamarbër Malltei. Edhe ditën e djeshme dhe sot paradite, Berisha është shfaqur në dritare për të përshëndetur mbështetësit e tij.