Fretërit Françeskanë të Kalifornisë, një organizatë katolike romake e përkushtuar për t’i shërbyer të varfërve, ka paraqitur kërkesë për falimentim pasi u përball me gati 100 padi në lidhje me pretendimet për abuzim seksual që datonin prej dekadash.
Organizata me bazë në Oakland, Kaliforni tha në një deklaratë të martën se ajo ishte shtyrë drejt falimentimit nga një ndryshim në ligjin e shtetit të Kalifornisë që lejoi të mbijetuarit e abuzimit seksual të parashtronin ankesat dekada të vjetra që përndryshe ishin të parashkruara sipas statutit të kufizimeve të shtetit.
Fretërit Françeskanë të Kalifornisë i bashkohen një valë në rritje të organizatave katolike romake që kanë paraqitur kërkesë falimentimi për të adresuar paditë e abuzimit seksual.
Shumica e 94 padive të ngritura kundër Fretërve Françeskanë u ngritën në Kaliforni, ku një ligj i vitit 2019 ringjalli pretendimet e vjetra të abuzimit seksual dhe çoi në falimentimin e dioqezave katolike në San Francisko, Oakland dhe Santa Rosa.
Të gjitha paditë e fundit kundër Fretërve Françeskanë të Kalifornisë bazohen në abuzimin që dyshohet se ka ndodhur të paktën 27 vjet më parë, tha grupi në një deklaratë të martën. Shumica e fretërve të akuzuar për abuzim kanë ndërruar jetë dhe organizata ka kohë që i ka ndërprerë lidhjet me ata që janë ende gjallë, tha grupi.
Ministri provincial, At David Gaa, tha se falimentimi do t’i lejonte organizatës të kompensojë në mënyrë të barabartë të mbijetuarit e abuzimit, edhe pse “asnjë falje ose ndonjë shumë e kompensimit financiar nuk mund ta kthejë dëmin”.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga veprimet mëkatare të kryera dhe dëmi i shkaktuar ndaj të mbijetuarve të abuzimit të cilët besojnë te fretërit”, tha Gaa në një deklaratë.
Organizata françeskane ka midis 1 milion dhe 10 milionë dollarë asete dhe midis 10 milionë dhe 50 milionë dollarë detyrime, sipas një peticioni të paraqitur më 31 dhjetor në Gjykatën e Falimentimit të SHBA në Oakland, Kaliforni