Izraeli është në gjendje të lartë gatishmërie lidhur me mundësinë e përshkallëzimit të situatës me Hezbollahun, pas vrasjes së një udhëheqësi të lartë të Hamasit në një sulm në Bejrut.
Mendohet gjerësisht se sulmi u krye nga Izraeli, ndërsa është shtuar rreziku për një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Eliminimi i palestinezit Saleh Arouri, udhëheqësi më i lartë i Hamasit i vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza, gati tre muaj më parë, e forcon moralin e izraelitëve që ende janë të tronditur nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, ndërsa militantët vazhdojnë të bëjnë një rezistencë të fortë në Gazë dhe ende mbajnë shumë pengje. Por mbetet e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë kjo për luftën. Udhëheqësit e Hamasit, të vrarë nga Izraeli gjatë viteve, janë zëvendësuar menjëherë.
Goditja në bazën jugore të Hezbollahut në Bejrut mund të bëjë që luftimet me intensitet të ulët përgjatë kufirit me Libanin të shndërrohen në një luftë të gjerë.
Por kjo do të varet kryesisht nga mënyra se si do të kundërpërgjigjet udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Ai e ka udhëhequr Hezbollahun që nga viti 1992, kur një sulm izraelit eliminoi paraardhësin e tij.
Më parë ai është zotuar për hakmarrje ndaj çdo sulmi kundër udhëheqësve militantë në Liban. Ai pritet të mbajë një fjalim sot.
Që nga fillimi i luftës në Gaza, Hezbollahu dhe Izraeli kanë shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë në kufirin mes Izraelit dhe Libanit. Megjithatë, udhëheqësi Nasrallah ka ngurruar që ta përshkallëzojë më tej situatën, ndoshta nga frika e përsëritjes së asaj që ndodhi gjatë luftës njëmujore në vitin 2006, kur Izraeli bombardoi rëndë Bejrutin dhe Libanin jugor.
Hezbollahu njoftoi lëshimin e një morie raketash në veri të Izraelit të martën vonë, por nuk e lidhi drejtpërdrejt sulmin me vrasjen e Arourit.
Gazetarët në Libanin jugor raportuan për bombardime dhe sulme ajrore të ashpra nga ana e Izraelit. Megjithatë nuk pati njoftime për viktima dhe deri të mërkurën herët zona kufitare ishte e qetë.
Zyrtarët izraelitë nuk kanë komentuar mbi sulmin që vrau Arourin, por admirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se “ne jemi në gatishmëri të lartë për çdo skenar”.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që të parandalohet çdo zgjerim të konfliktit, ndërsa kanë vendosur dy aeroplanmbajtëse dhe trupa në rajon. Sekretari i Shtetit Antony Blinken pritet të shkojë në rajon këtë javë./VOA