Vendosni fjalën kyçe....

Qytetari i zakonshëm në vëmendjen e inspektorit të lartë të drejtësisë


Përgjatë vitit 2023, krahas veprimtarisë së përditshme funksionale të inspektimit, verifikimit, hetimit e procedimit disiplinor, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në punën e vet ka patur në vëmendje të posaçme raportin me qytetarin, në dy dimensione: si ankues për shkelje disiplinore të pretenduara ndaj gjyqtarëve e prokurorëve dhe si qytetar i informuar, përmes aktiviteteve për edukim ligjor përgjatë gjithë vitit me grupe të ndryshme shoqërore.

Qytetarët ankues kanë shërbyer si iniciues të disa inspektimeve të ndryshme tematike, të Zyrës së ILD-së gjatë vitit 2023. I tillë është inspektimi tematik mbi procedurën e shpalljes dhe arsyetimit të vendimeve të gjykatave, iniciuar nga shqyrtimi i një numri të madh ankesash mbi pretendimet për zvarritjen e gjykimit dhe vonesat në zbardhjen e vendimeve nga gjyqtarët. Ky inspektim që u krye në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, (Dhoma civile) dhe Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë ka përfunduar.

Njëlloj, dinamika e ankesave të qytetarëve ka shërbyer për të iniciuar inspektimet tematike mbi caktimin e çështjeve në prokurori; mbi ndarjen e çështjeve me short dhe kontrollin e raporteve të sistemit elektronik në gjykata; si dhe mbi praktikën dhe shkaqet e zëvendësimit të prokurorëve, inspektime tematike që janë në proces dhe në faza të ndryshme procedurale.

Një tjetër inspektim tematik, që është drejt përfundimit, ai i lirimit me kusht, është iniciuar që me nisjen punë të ILD-së, në vitin 2020, nisur nga ndjeshmëria e lartë publike në atë periudhë pas lirimeve të disa personazheve të njohur për drejtësinë.

Prej nisjes së funksionimit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, vëmendja ndaj qytetarëve-ankues ka qenë e lartë, si për ata që i janë drejtuar direkt ILD-së, por edhe për të tjerë, që ankesat e tyre i kishin depozituar prej vitesh në institucionet paraardhëse, të ngarkuara me procesin disiplinor të magjistratëve. Kështu nga 33 kërkesa për procedim disiplinor të paraqitura prej vitit 2020 nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, 28 prej tyre janë mbi bazë ankese të depozituar nga qytetarët pranë ILD-së apo pranë institucioneve të mëparshme, por të trashëguara nga ILD-ja, e të hetuara prej saj. Angazhimi i qytetarëve ka qenë i lartë. Vetëm gjatë muajit dhjetor 2023, 100 ankesa janë depozituar nga qytetarët në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nga të cilat, 40 ankesa vetëm javën e fundit të dhjetorit. 

Duke patur parasysh parimin se një qytetar i informuar arrin të adresojë ku duhet problematikën që has, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë po ndjek një strategji komunikimi publik, që nis në institucion, me lehtësitë e krijuara për çdo ankues, përmes faqes së internetit, ku ndodhet një formular i dedikuar për t’u plotësuar, e më tej, çdo ditë, me pritjen dhe asistimin e qytetarëve, që duan të depozitojnë ankesë fizikisht apo të marrin informacion për ecurinë e ankesës së tyre. Gjatë vitit 2023, Zyra e Ankesave dhe e marrëdhënieve me publikun ka pritur 237 qytetarë; ka realizuar 188 telefonata sqaruese me qytetarë të interesuar dhe u është përgjigjur 202 kërkesave të paraqitura për informacion.

Paralelisht ka vijuar komunikimi edhe jashtë institucionit, në funksion të transparencës dhe ndërgjegjësimit të publikut mbi misionin, kompetencat dhe përgjegjësitë e Zyrës së ILD-së, përmes edukimit ligjor. Për këtë Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka krijuar një traditë të bashkëbisedimeve me grupe të ndryshme shoqërore, që është intensifikuar gjatë vitit 2023.

Në 12 takime e konferenca, memorandume bashkëpunimi janë përfshirë kategori të ndryshme shoqërore, që nga nxënës, studentë e deri tek Organizatat e Shoqërisë Civile, të fokusuara tek sistemi i drejtësisë dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Një gjyq imitues nga nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Besëlidhja e Malësisë”, në qytetin e Bajram Currit, leksionet e hapura me studentë të drejtësisë të Universitetit të Vlorës e Elbasanit, shoqëruar me firmosjen e memorandumeve të bashkëpunimit, bashkëbisedim me studentët e Akademisë “Citizen in charge” në Tiranë, kanë qenë aktivitete të targetuara për nxitjen e edukimit ligjor, që nga sistemi parauniversitar deri në atë universitar.

Në funksion të synimit për të komunikuar me grupe interesi edhe nëpër rrethe, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka zhvilluar gjatë vitit 2023, dy tryeza bashkëbisedimi me Organizatat e Shoqërisë Civile në Lezhë dhe në Lushnjë, më mbështetjen e OSBE. Komunikimi i hapur në këto tryeza nxori në pah rëndësinë që ka paraqitja e institucionit tek grupet e ndryshme të interesit, aty ku ata jetojnë dhe diskutimet mbi mënyrën se si e shohin rolin e institucionit, eksperiencat dhe pritshmëritë në raport me sjelljen e magjistratëve në sistem.

Ky komunikim direkt i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i shërben rritjes së transparencës, por edhe të eficencës së punës së ILD-së, duke ndihmuar gjithashtu në rritjen e forcimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.

Po gjatë vitit 2023, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka qenë objekt analizash studimore profesionale nga Organizata të Shoqërisë Civile, që kanë në fokus të punës, monitorimin e sistemit të drejtësisë.  Instituti për Studime Politike dhe Ligjore, Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes dhe Infocip përmes eventeve të posaçme, kanë paraqitur dhe diskutuar bashkë me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, me profesionistë të fushës dhe përfaqësues institucionesh, ecurinë e veprimtarisë së ILD-së, sfidat dhe përparimet, si dhe vizionin për të ardhmen.

Në këtë bilanc fundviti, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjen rastin të falenderojë me mirënjohje të gjithë grupet shoqërore, qytetarët e veçantë dhe institucionet, që ndërvepruan me ILD-në përgjatë vitit 2023, për vlerësimet, kritikat por edhe sugjerimet, për të kontribuar në forcimin e institucionit, por edhe të besimit tek sistemi i drejtësisë, përmes kultivimit të së drejtës, si vlerë shoqërore, përmes edukimit ligjor me parimet e shtetit të së drejtës.