Të paktën 103 persona janë vrarë dhe 170 të tjerë janë plagosur pas shpërthimeve në një ngjarje në Iran, e organizuar për të nderuar një gjeneral që u vra në një sulm ajror amerikan më 2020, raportuan të mërkurën mediet shtetërore.
Babak Yektaparast, zëdhënës i shërbimit emergjent të Iranit, njoftoi për numrin e viktimave.
Shpërthimet ndodhën në ngjarjen e organizuar për të shënuar 4-vjetorin e vrasjes së gjeneralit, Qassem Soleimani, që udhëhiqte forcat elite Kuds, të Gardës Revolucionare Islamike. Ai u vra në një sulm me dron të kryer nga SHBA-ja në Irak në janarin e vitit 2020.
Shpërthimet ndodhën në qytetin Kerman, ku është varrosur Soleimani në Kerman, që gjendet 820 kilometra në juglindje të kryeqytetit iranian, Teheran, përcjell REL.
Ende nuk është e qartë se çfarë ka shkaktuar shpërthimet. Autoritetet thanë se disa persona u plagosën përderisa po iknin nga vendi i ngjarjes.
Soleimani ishte arkitekt i aktiviteteve ushtarake rajonale të Iranit dhe konsiderohej si ikonë kombëtare në mesin e mbështetësve të teokracisë në Iran.
Në funeralin e Soleimanit më 2020 mijëra njerëz morën pjesë dhe shtypën njëri-tjetrin, duke lënë të vdekur 56 persona dhe mbi 200 të plagosur.