Administrata Biden e sheh tërheqjen e mijëra trupave të Izraelit nga Gaza si një shenjë se po e dëgjon Uashingtonin dhe po kalon në operacione ushtarake me intensitet më të ulët, thanë tre zyrtarë amerikanë, megjithëse kalimi po shkon më ngadalë sesa do të dëshironin SHBA-të.
Ushtria izraelite konfirmoi të hënën se kishte filluar të tërhiqte pesë brigada nga operacionet në Gaza, duke përfshirë shumë rezervistë.
Pakësimi do t’i lejojë rezervistët të kthehen në vendet e punës e në shtëpi dhe t’u mundësojë të mbledhin forcat e tyre për operacionet e ardhshme, tha Majori Nir Dinar, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit.
Zyrtarët amerikanë, të cilëve iu dha anonimiteti për të folur për diskutime të ndjeshme, tani duken disi disi më të lehtësuar. Ata e shohin pakësimin e trupave si një sinjal se Izraeli po fillon të largohet përfundimisht nga bombardimet në shkallë të gjerë dhe më shumë drejt sulmeve të synuara, kirurgjikale ndaj liderëve të lartë të Hamasit – një lëvizje që SHBA-të e kanë kërkuar prej kohësh ndërsa numri i viktimave civile mes palestinezëve vazhdon të rritet.
“Këto përshtatje synojnë të sigurojnë planifikim efektiv dhe përgatitje për vazhdimin e operacioneve në vitin 2024,” tha Dinar.
“IDF e njeh nevojën për të planifikuar përpara, duke parashikuar detyra shtesë dhe luftë gjatë gjithë vitit.”
Izraeli gjithmonë planifikonte të kalonte përfundimisht në luftime me intensitet më të ulët në Gaza, por masa u vonua në mënyrë të përsëritur sepse operacionet e pastrimit zgjatën më shumë se sa ishte parashikuar, tha një nga zyrtarët amerikanë.
“Ajo që ne po shohim është fillimi i një kalimi,” tha zyrtari. Një zyrtar i dytë shtoi se administrata është e kënaqur të shohë ndryshimin, por shtoi se SHBA-ja do kishte parapëlqyer që ndryshimet të ishin bërë shumë më shpejt.
Megjithatë zyrtarët izraelitë thonë se luftimet do zgjasin edhe në vitin 2024. Dhe zyrtarët amerikanë janë skeptikë se ndryshimi do ndodhë shpejt.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në Gazën veriore, Izraeli ka çmontuar pjesën më të madhe të infrastrukturës së Hamasit dhe ka pastruar zonën nga shumë militantë, tha zyrtari i parë. Por në jug, ku ka ende luftime aktive, SHBA nuk po sheh ndonjë rënie në praninë ushtarake të Izraelit, shtoi zyrtari.
Mesazhi për të ndryshuar kursin u dha personalisht javët e fundit nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin, ish-gjenerali me katër yje që mbikëqyri tërheqjen e SHBA nga Iraku në fillim të viteve 2000.
“Ne të gjithë e dimë se çdo operacion ushtarak në shkallë të gjerë, do ketë faza në fushatën e tij. Dhe ndërsa kalohet nga një fazë në tjetrën, qëndrimi ndryshon pak, veprimtaria ndryshon pak sepse filloni të përqendroheni në gjëra të ndryshme,” u tha Austin gazetarëve në Tel Aviv muajin e kaluar.
I pyetur nëse ushtria izraelite ka filluar të kalojë në një fazë tjetër të luftës, një zyrtar izraelit tha: “Ne i përshtatim operacionet tona gjendjes në terren me mirëkuptimin se do duhet kohë për të arritur qëllimin tonë për të çmontuar Hamasin në Gaza.”
Vrasja e një udhëheqësi të lartë të Hamasit, Saleh al-Arouri, në një sulm të dyshuar izraelit me dron në një bastion të grupit militant libanez Hezbollah pranë Bejrutit të martën, mund të jetë një tjetër shenjë që Izraeli është gati të kalojë në më shumë operacione kirurgjikale, tha zyrtari u dytë amerikan.
Por të tjerët janë të shqetësuar se sulmi mund të shkaktojë një përgjigje nga Hezbollahu libanez, i cili deri më tani është përmbajtur nga përfshirja më e thellë në luftë. Grupi ka shkëmbyer zjarr pothuajse çdo ditë me Izraelin që nga sulmet e 7 tetorit, por dhuna ka qenë kryesisht e kufizuar në kufirin midis dy vendeve.
Megjithatë, udhëheqësit e Hezbollahut kanë paralajmëruar kohët e fundit se grupi do përgjigjet me forcë ndaj çdo atentati në tokën libaneze. Pas sulmit, Hezbollahu tha në një deklaratë në Telegram se do hakmerrej për vrasjen e Arourit “në kohën dhe vendin e duhur”.