Pothuajse tetë vjet pasi një ish-nëpunëse e qarkut kundërshtoi të lëshonte licenca martese për çiftet e të njëjtit seks në Kentaki, duhet të paguajë 260,000 dollarë tarifa dhe shpenzime për avokatët që përfaqësonin një nga çiftet, ka vendosur një gjykatës federal.
Vendimi që qarkulloi në sistemin gjyqësor të martën është i ndarë nga vendimi i mëparshëm i një jurie ku Kim Davis duhet të paguajë 100,000 dollarë dëmshpërblim për çiftin, David Ermold dhe David Moore.
Vendimi i gjyqtarit është rezultati i fundit në një proces gjyqësor që filloi në 2015 pas vendimit të Gjykatës së Lartë në Obergefell kundër Hodges se çiftet e të njëjtit seks kanë të njëjtën të drejtë të martohen si çiftet heteroseksuale. Çështja mori vite për t’u zgjidhur pasi Davis apeloi shumë nga vendimet e mëparshme.
Avokatët e Davis kishin argumentuar se tarifat e avokatëve të paditësve duhet të ulen me më shumë se gjysmën, thuhej në vendimin e gjykatësit të qarkut të SHBA, David L. Bunning. Megjithatë, Bunning tha se tarifat e ngarkuara ishin të arsyeshme duke pasur parasysh se paditësit mbizotëruan pasi ata kërkuan të justifikonin të drejtën e tyre themelore për t’u martuar dhe për të marrë licencat e martesës.
“Kur paditësi fiton çështjen, avokati i tij duhet të rikuperojë një tarifë plotësisht kompensuese,” shkroi Bunning.
Joseph Buckles, një nga avokatët që përfaqësonte çiftin, tha për The Washington Post se ishte i lumtur që gjyqtari nuk uli tarifat me asnjë qindarkë, por shtoi se vendimi i fundit ishte “i hidhur”.
“E gjitha erdhi me një kosto të lartë për klientët e mi,” tha ai.
“Jeta e tyre u vu nën mikroskop, çdo hollësi rreth tyre u soll në gjykatë. Ata u bënë të famshëm për një kauzë që nuk e zgjodhën kurrë.”
Liberty Counsel, një organizatë për lirinë fetare që përfaqësonte Davis, tha të mërkurën se do apelonte çështjen, duke përfshirë dëmet dhe tarifat e avokatëve.
“Në apel, ne jo vetëm që do kërkojmë anulimin e vendimit të jurisë për shkak të mungesës së provave për të mbështetur një kërkesë për dëmshpërblim, por gjithashtu do argumentojmë se Kim Davis mbrohet nga Klauzola e Lirisë së Fesë në Amendamentin e Parë,” tha Matheë D. Staver. themeluesi dhe kryetari i Liberty Counsel, në një deklaratë.
“Dhe ne do argumentojmë se çështja e vitit 2015 e Obergefell kundër Hodges duhet të anulohet. Vetëm dy nga pesë gjyqtarët fillestarë mbeten në të. Shefi i drejtësisë John Roberts paraqiti një mospajtim të fortë për rastin, së bashku me Thomas dhe Alito. Obergefell është në fije të perit dhe i mungon ndonjë precedent apo themel ligjor.”
Davis ishte 49 vjeç dhe nëpunëse kryesore në Roëan County në qershor 2015 kur Gjykata e Lartë vendosi që çiftet homoseksuale kishin të drejtën kushtetuese për t’u martuar. Ajo kërkoi të përjashtohej nga lëshimi i licencave të martesës për çiftet e të njëjtit seks, sepse, si një e krishterë ungjillore, martesa e të njëjtit seks shkelte besimet e saj fetare, raportoi më parë The Post.
Në korrik 2015, një video e kundërshtimit të saj për të lëshuar një licencë martese për Ermold dhe Moore u bë virale, duke e bërë atë më të njohurën nga disa nëpunës në të gjithë vendin që hodhën poshtë vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ajo u vu në qendër të vëmendjes kombëtare, pasi disa pjesë të vendit e përshëndetën atë si heroinë duke iu përmbajtur parimeve të saj, ndërsa të tjerët e kritikuan për mosrespektim të ligjit.
Sfidimi i saj ndaj një urdhri gjykate për lëshimin e licencave të martesës për çiftet e të njëjtit seks çoi në burgosjen e saj për pesë ditë në shtator 2015.
“Unë paguaj rrogën tënde,” mund të shihet duke insistuar Moore në një video të shtatorit 2015 në zyrën e Rowan County, teksa përkulet mbi tavolinën e Davis.
“Unë ju paguaj që të më diskriminoni tani, kjo është ajo për të cilën po paguaj.”
“Bëni punën tuaj,” bërtet dikush nga turma. Ndërsa debati u bë më i nxehtë, Davis tërhiqet në zyrën e saj dhe mbyll derën.
Davis gjithashtu i ndaloi punonjësit e saj të lëshonin licencat, por përfundimisht, një nga zëvendësit e saj, Brian Mason, filloi ta bënte këtë gjithsesi, raportoi më parë The Post.
Ermold, Moore dhe të tjerë paditën Davis në 2015.
Që nga fillimi, Davis është përfaqësuar nga Liberty Counsel, që ofron ndihmë ligjore falas për “përparimin e lirisë fetare, shenjtërinë e jetës njerëzore dhe të familjes”, sipas faqes së saj të internetit. Davis lëshoi një deklaratë në vitin 2015 duke shpjeguar se kundërshtimi i saj për të licencuar një martesë të të njëjtit seks është “një vendim i Parajsës ose Ferrit”.
Në mars 2022, Bunning vendosi se Davis kishte shkelur të drejtat e dy çifteve dhe se besimet e saj fetare nuk e justifikonin kundërshtimin e saj për të lëshuar licenca martese për çiftet e të njëjtit seks.
Në gjykimin e tij, Bunning shkroi se procesi gjyqësor i gjatë dhe dredha-dredha i kësaj çështje përfshinte zbulime të gjera, mocione të shumta, katër apelime në Gjykatën e Apelit të SHBA-së për Qarkun e 6-të, një peticion në Gjykatën e Lartë dhe një gjyq treditor me juri.
Buckles tha se ai nuk ka dyshim se Davis do apelojë dhe se ajo ka të drejtë ta bëjë këtë.
“Kim Davis shkeli plotësisht të drejtat e tyre kushtetuese dhe më pas shkroi një libër për këtë,” tha ai.
“E megjithatë ky rast mund të vazhdojë akoma.”
Buckles tha se klientët e tij ishin të lodhur nga proceset gjyqësore shumëvjeçare dhe se ndërsa “janë të emocionuar me rezultatet dhe kanë ripërtërirë besimin në sistemin e drejtësisë, edhe vendimi i fundit nuk fshin 8 vitet e fundit të jetës së tyre”.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani