Vendosni fjalën kyçe....

Opozita kundër tatimit të profesioneve të lira: Pabarazi, do të sjellë emigrim


Nga 1 janari 2024 të gjithë personat fizikë tregtar apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim. Ata që sigurojnë të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë do të tatohen me 15% ndërsa ata që kanë të ardhura mbi 14 milionë lekë do të paguajnë 23% tatim.

Për Partinë Demokratike kjo është goditje ndaj shtresës më vitale të shoqërisë, e që për rrjedhojë do të sjellë rritje të çmimit të shërbimeve, reduktim të investimeve të planifikuara e më pak vende të reja pune.

“Me tatimin e ri ndaj profesioneve të lira, qeveria socialiste po inkurajon mbylljen dhe largimin e tyre.  Ky tatim dëmton konkurencën e lirë në treg, pasi krijon pabarazi në kushtet e të bërit biznesi, ku biznesi i vogël ka 0 tatim dhe nga ana tjetër ku oligarkët e qeverisë tatohen disa herë më pak për dividentin”, tha në një reagim në rrjetet sociale nënkryetarja e PD Oriola Pampuri.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe Partia e Lirisë. Sipas deputetes Erisa Xhixho, vendosja e kësaj takes do t’i detyrojë shumë prej ofruesve të këtyre shërbimeve të marrin rrugën e emigrimit.

‘Vendosja e kësaj takse në kulmin e krizës së çmimeve do t’i detyrojë shumë prej ofruesve të këtyre shërbimeve të marrin rrugën e emigrimit. Përfitimi i qeverisë nga ky taksim do të arrijë plot 2 miliard lekë ose 20 milion dollarë. Këto para do të shkojnë në xhepat e klientëve të qeverisë, për koncesione e inceneratorë që nuk kanë punuar një ditë të vetme.

Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë sa herë qeverisë nuk i dalin llogaritë dhe i duhen para për të mbyllur aferat e saj. Partia e Lirisë është e bindur se një sistem taksimi i pabarabartë dhe i pandershëm, në kushtet e krizës, kur qeveria duhet të mbështesë e jo të vjelë më shumë taksa, është arsyeja e mungesës së stabilitetit dhe të garancisë për të ardhmen si dhe mungesës së investimeve të huaja.’- tha Xhixho.

Lista për profesionet e lira u miratua pak javë më parë me vendimin e Këshillit të Ministrave. Lista është e ndarë në 26 lloje aktivitetesh, të ndara në 169 profesione. Në këtë listë futet fotografi, videograf, prodhues të programeve, regjistrues të audiove për muzikë, aktivitete të IT, siguruesit, financier, ndërmjetësues financiar, prodhues filmash, vlerësuesit e pasurive të paluajtshme, juriste, avokatë, kontabiliste, arkitekt, agjenci që merren me sondazhe, me reklama, shërbimet veteriner, shërbimet e dhënies me qira të makinave, dheniet me qira të sendeve të tjera, agjencitë e punësimit, agjencitë e udhëtimit, sigurimi i burimeve njerëzore operatorë turistikë, administrim zyrash, call center, organizator eventesh, konferencash, arsimtarë, mjekë, dentistë, mjek të specializuar, qendra të kujdesit shëndetësor për të moshuarit, qendrat e kujdesit për të prapambetur mendor, infermier, aktivitetet sportive, krijuese, shplodhese, aktivitetet e argëtimit.