Vendosni fjalën kyçe....

SHBA i quan të pavërteta raportimet se Uashingoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategji


Departamenti Amerikan i Shtetit i ka quajtur të pavërteta raportimet se Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj në luftën kundër Rusisë.

“Jo. Kjo nuk është e vërtetë,” tha më 3 janar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse Uashingtoni dëshiron që Ukraina të ndryshojë strategjinë e saj.

Politico muajin e kaluar citoi një zyrtar të paidentifikuar të administratës Biden dhe një diplomat evropian të kenë thënë se zyrtarët amerikanë dhe evropianë po e zhvendosnin fokusin e tyre nga mbështetja me qëllim të fitores totale të Ukrainës, në përmirësimin e pozicionit të saj në negociatat e mundshme për t’i dhënë fund luftës.

Më 28 dhjetor 2023, Shtëpia e Bardhë e ka miratuar një tjetër ndihmë ushtarake për Ukrainën, në vlerë të 250 milionë dollarëve.

Në paketën e fundit përfshihen armë për mbrojtje ajrore, artileri, municion i vogël dhe armë anti-tank, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Mirëpo kjo është ndihma e fundit që mund të niset prej SHBA-së në Ukrainë, nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmë shtesë.

Ukraina ka paralajmëruar që lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit.

Rusia e ka filluar pushtimin e plotë dhe të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./REL