Vendosni fjalën kyçe....

SHBA vret me dron liderin e milicisë që fajësohet për sulmet në Irak


Ushtria amerikane ka kryer një sulm në Bagdad kundër një udhëheqësi të milicisë irakiane përgjegjës për sulmet ndaj forcave amerikane në vend, tha një zyrtar amerikan.

Lideri irakian i organizatës dhe një person tjetër u vranë në sulm. Sipas të njëjtit burim, i cili foli në kushte anonimiteti, sulmi ishte kundër një automjeti dhe kishte për qëllim liderin e “Harakat al Nujaba”.

Nga ana tjetër, burime policore dhe dëshmitarë okularë kanë raportuar se një dron qëlloi të paktën dy raketa në një ndërtesë në lindje të Bagdadit, raporton Reuters.

“Ne do të hakmerremi dhe do t’i bëjmë amerikanët të pendohen për kryerjen e këtij sulmi”, u përgjigj një komandant lokal i milicisë irakiane.

Shtetet e Bashkuara kanë 900 trupa në Siri dhe 2500 në Irak. Sipas Uashingtonit, roli i trupave të saj në këto dy vende është të parandalojnë një grumbullim të mundshëm të terroristëve të Shtetit Islamik.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit SHBA ka sulmuar edhe rebelët pro-iranianë Houthi të Jemenit, pas sulmeve ndaj anijeve pranë Detit të Kuq, për të cilat ata pretendonin se ishin të lidhura me Izraelin.