Vendosni fjalën kyçe....

Berisha mbështetësve nga dritarja: Nuk ka vrimë për Edi Ramën në Surrel apo Shqipëri


Ish-kryeministri Sali Berisha u është drejtuar përmes një fjalimi nga dritarja simpatizantëve të tij, të mbledhur poshtë banesës ku ai prej disa ditësh ndodhet në arrest shtëpiak.

Berisha u shpreh se tubimi i sotëm ishte i shenjtë dhe simpatizantët e tij po protestonin për fjalën e lirë.

Berisha tha se në momentin që ata do të ngrihen “nuk do të ketë tunel e vrimë më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë dhe Shqipëri”.

“Kjo është një protestë e shenjtë, e shenjtë sepse e shenjtë është fjala e lirë. Sot ne jemi këtu në protestë për fjalën e lirë. Një nga martirët e gjallë të fjalës së lirë, Salman Rushdie thotë se fjala e lirë është gjithçka, është vetë jeta.

Pa fjalën e lirë nuk mund të jesh kurrë njeri me dinjitet. U drejtohem sot qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe sot kjo protestë duhet të jetë një thirrje në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Mos u mërzitni, mos u lodhni e mos u trembni. Sot paratë e drogës, falangat e krimit që kanë pushtuar çdo institucion vërtet mbjellin frikë e terror, por ata e bëjnë këtë vetëm se nuk ngrihemi ne. Në momentin që ne ngrihemi nuk ka tunel e vrimë më për Edi Ramën, në Surrel, Tiranë e as në Shqipëri!” tha Berisha mes të tjerave.