Nënkryetari i PD-së së Bashës, Roland Bejko, pohoi se demokratët janë distancuar jo vetëm nga Berisha po edhe nga ‘Berishizmi’ si koncept.
I ftuar në News24 ai theksoi se Berisha është njësoj si kryeministri Rama e ka të njëjtat tipare me të.
“Ne nuk jemi distancuar vetëm nga Berisha, por nga berishizmi që përmbledh elementet që e portretizojnë një figurë politike si autoritar. Berisha bën si Rama, mosnjohjen e ligjit, krijimin e forcave paramilitare për kundërshtimin e ligjit dhe delegjitimimin e kundërshtarëve politikë dhe atyre që nuk janë në axhendën e Berishës, fut këtu edhe drejtësinë që ai e quan bandë kriminale dhe kreun e SPAK e vendos me kriminelët e këtij vendi. Ne distancohemi nga aktet e dhunës në parlament. Presim nga ata që janë në parlament t’i japin mundësi zhvillimit të reformave. Deputetët e PD kanë reaguar për çështjet e ditës nga selia sepse parlamenti ka qenë në flakë dhe kur flakadanët e berishizmit ndizeshin ata kanë votuar kundër buxhetit. Deputetët e PD kanë dalë në konferenca duke marrë zërat e buxhetit një për një. Në mungesë të kushteve për të prezantuar opinionin në sallën e parlamentit ku i është vënë flaka nga Berisha dhe Rama, ata kanë dalë në seli.” – tha Bejko.
Ai shtoi më tej se PD-ja fillimisht duhet të rregullojë oborrin e saj e më pas të pretendojë bashkimin e demokratëve. Sipas Bejkos PD-ja duhet të nxjerrë pa humbur kohë ekipin në terren për të qenë pranë qytetarëve.
“Gjatë kohës që Berisha ka qenë në aksione parapolitike, PD ka qenë në aksione politike. PD ka prezantuar disa nisma. PD ka strategjinë e vetë. Ne dolëm nga një situatë e vështirë e ekzistencës, strukturat ishin traumatizuar. Për pasojë PD ka qenë duke u organizuar nga brenda. Kur mbaroi Kongresi Basha ka qenë në terren duke takuar demokratët dhe duke u shpjeguar axhendën tonë. Pa rregulluar oborrin tonë ne nuk mund të pretendojmë se të tjerët janë të gatshëm të na bashkohen. Pasi u bënë zgjedhjet për strukturat e partisë, jemi në procesin e zgjedhjeve të kryetarëve të degëve. Deri në fund të marsit do dalë edhe lista për kandidatët për deputetë në zgjedhjet parlamentare. PD e ka urgjencë të nxjerrë ekipin e saj në terren dhe të jetë pranë qytetarëve. Ajo që pres nga Basha dhe PD është që ne të gjithë të artikulohemi politikisht dhe qytetarët të dëgjojnë propozimet tona për ndryshimin dhe zhvillimin e vendit.” – tha Bejko.