Vendosni fjalën kyçe....

ISIS merr përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës me 100 viktima në Iran


Shteti Islamik mori përgjegjësinë të enjten për dy shpërthimet në Iran që vranë rreth 100 njerëz dhe plagosën shumë të tjerë në një memorial për komandantin e lartë Qassem Soleimani,  të vrarë nga një sulm amerikan me dron vite më parë.

Në një deklaratë të postuar në kanalet e saj Telegram, grupi militant tha se dy anëtarë të IS-it kishin shpërthyer brezat me eksploziz në turmën që ishte mbledhur në varrezat në qytetin juglindor iranian Kerman të mërkurën.

Memoriali shënonte përvjetorin e katërt të vdekjes së Soleimani, i cili u vra në Irak në vitin 2020 nga një dron amerikan.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të dyshonin në pretendimin e Shtetit Islamik se ishte përgjegjës për sulmin e së mërkurës.

Teherani është zotuar të hakmerret për sulmin më të përgjakshëm që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Shpërthimet e dyfishta plagosën gjithashtu 284 persona, përfshirë fëmijë.

“Aata do përballen me një hakmarrje shumë të fortë nga duart e ushtarëve të Soleimanit,” u tha gazetarëve në Kerman nënpresidenti i parë i Iranit, Mohammad Mokhber.

Autoritetet iraniane kanë bërë thirrje për protesta masive të premten, kur do mbahen funeralet e viktimave të dy shpërthimeve, njoftuan mediat shtetërore.

Korpusi i fuqishëm i Gardës Revolucionare të Iranit i përshkroi sulmet si një akt burracak “që synon të krijojë pasiguri dhe përçarje “.

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka dënuar atë që ai e quajti “krim i urryer dhe çnjerëzor” i së mërkurës. Autoriteti më i lartë i Iranit, Udhëheqësi Suprem Ayatollah Khamenei, u zotua të hakmerret për bombardimet.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara në një deklaratë dënoi atë që e quajti “sulm terrorist burracak” i së mërkurës dhe u dërgoi ngushëllimet e tij familjeve të viktimave dhe qeverisë iraniane.