Ish-kandidati i PD-së për Tiranë në zgjedhjet lokale të 14 majit Roland Bejko tha mbrëmjen e sotme se fati i Sali Berishës është vetmia.
Nënkryetari i PD-së së Bashës tha se ish-kryeministri Berisha duke u kthyer në PD i bëri puç partisë për ta kthyer atë në një bunker personal dhe të familjes së tij.
Po kështu Bejko tha se mbështetja për Berishën është qesharake duke theksuar se poshtë dritares i mblidhen vetëm bashkëpunëtorët që kanë përfituar pasuri.
“Besoj shumë te SPAK, nuk besoj se pas tij qëndron Rama. Telefoni i SPAK është ndërprerë me Ramën dhe komunikon vetëm me Uashingtonin. Drejtuesit e SPAK nuk i shohin fare lajmet shqiptare, por vetëm ato në SHBA. Berisha me kthimin që bëri, duke krijuar një puç për ta kthyer PD në bunker të vetin dhe familjes së vetë, nuk bëri gjë vetëm sa e dëmtoi PD dhe armiqësoi demokratët. Fundi i liderëve të tillë është vetmia. Shikoni pak kush i mblidhet atje te rruga, vetëm bashkëpunëtoret e tij që u ndryshoi lëkurën, nga njerëz të varfër i bëri shumë të pasur duke mos punuar një ditë. Rithemelimi ka humbur tashmë, është në drejtim të paditur”, tha Bejko në News24.