Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur Azerbajxhanin dhe tri vende të tjera në listën e vëzhgimit, për tolerim të “shkeljeve të rënda të lirisë fetare”, pasi Baku mori nën kontroll rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha në një deklaratë më 4 janar se Azerbajxhani i bashkohet listës me Republikën e Afrikës Qendrore, Komoret dhe Vietnamin.
Kjo vjen pasi Komisioni i SHBA-së për Lirinë Fetare Ndërkombëtare (USCIRF) vuri në dukje shqetësimet lidhur me ruajtjen e vendeve fetare të krishtera në Nagorno-Karabakh. Marrja e kontrollit nga Azerbajxhani në shtator bëri që pothuajse e gjithë popullsia, prej 100.000 armenësh etnikë, të ikte në Armeni.
Komisioni, gjithashtu, shprehi alarmin lidhur me rregulloret mbi praktikat fetare në vendin me shumicë myslimane të drejtuar nga presidenti Ilham Aliyev, duke përfshirë këtu një kërkesë që të gjitha grupet fetare të regjistrohen dhe literatura e tyre të miratohet nga një organ zyrtar.
Blinken tha se përveç “listës speciale të vëzhgimit” të Departamentit të Shtetit, ka dymbëdhjetë “vende me shqetësim të veçantë” – Burma, Kina, Kuba, Eritrea, Irani, Nikaragua, Koreja e Veriut, Pakistani, Rusia, Arabia Saudite, Taxhikistani dhe Turkmenistani.
Në një tjetër deklaratë më 4 janar, USCIRF, që bën rekomandime, por nuk përcakton politikën e SHBA-së, u ankua për pengim të lirisë fetare në Bjellorusi.
USCIRF tha se një ligj i nënshkruar më 3 janar nga udhëheqësi autoritar Alyaksandr Lukashenka që shtrëngon aktivitetet e organizatave fetare ruan dispozitat më regresive të ligjit fetar të vitit 2002 dhe vendosë më shumë kufizime të padrejta ndaj komuniteteve fetare.
“Në vend që të shfuqizojnë ligjin e tij shumë kufizues, të miratuar mbi dy dekada më parë, i cili nuk përmbushte standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, zyrtarët bjellorusë kanë dyfishuar dhe zbatuar një ligj më represiv fetar që i jep qeverisë kontroll pa kufi mbi komunitetet fetare dhe punët e tyre”, tha kryetari i USCIRF, Abraham Cooper.
Cooper tha se kufizimet nënkuptojnë se komunitetet fetare “do të përballen me zgjedhjen e frikshme për të praktikuar fenë ose besimin e tyre ‘në mënyrë të paligjshme’ ose t’i nënshtrohen një regjimi brutal që përdorë forcë dhe frikësim pa dallim kundër popullit të vet”.
Blinken tha se avancimi i lirisë fetare “ka qenë një objektiv thelbësor i politikës së jashtme të SHBA-së që kur Kongresi miratoi Aktin Ndërkombëtar të Lirisë Fetare më 1998”.
Ai tha se qeveritë duhet t’i japin fund abuzimeve të tilla si sulmet ndaj pjesëtarëve të komuniteteve të pakicave fetare dhe vendeve të tyre të kultit.