Qeveria synon që të përafrojë legjislacionin që lidhet me procedurat e partneritetit publik privat dhe koncesionet me direktivën e Bashkimit Europian.
Strategjia e Prokurimit Publik 2024-2030 e publikuar nga Agjencia e Prokurimit Publik nënvizon edhe procesin që aktualisht ka zënë vend mes institucioneve të përfshira dhe konsulentëve të huaj.
“Në bazë të Urdhrit të Kryeministrit Nr. 6, datë 17.01.2023, u ngrit një grup pune ndërinstitucional për rishikimin e ligjit për koncesionet dhe PPP-të, në mënyrë që të përafrohet me Direktivën 2014/23/BE. Për hartimin e LPP-së, GNP po ndihmohet nga eksperti i SIGMA-s, i cili kishte kryer edhe analizën e mangësive ligjore për këtë ligj.
Kuadri ligjor në fushën e koncesioneve duhet të mbështetet në parimet dhe rregullat e BE që respektojnë mosdiskriminimin, trajtimin e barabartë dhe transparencën, kriteret e vlerësimit, procedurat dhe rregullat në lidhje me prokurimin elektronik sikurse janë komunikimi elektronik, njoftimet e kontratave dhe njoftimet e fituesit” thuhet në strategji.
I njëjti dokument nënvizon se siç është treguar nga raportet vjetore të KE-së, rekomandimet e vijueshme lidhen me domosdoshmërinë e përmirësimit të legjislacionit në këtë fushë i cili ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, në mënyrë që të arrihet përafrimi me direktivën përkatëse. Nga ana tjetër, për një zbatim më të mirë të legjislacionit është e nevojshme edhe një ndërhyrje në kuadrin institucional të tij.
“Gjithashtu, rëndësi në këtë proces ka roli dhe përgjegjësia e ministrisë përgjegjëse për financat, në lidhje me vlerësimin, miratimin e të gjithë projekteve të koncesionit/partneritetit publik privat dhe ecurinë e kontratave të koncesionit/PPP nga pikëpamja e implikimeve fiskale, individuale apo në grup për shpenzimet buxhetore, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe detyrimet kontingjente eventuale” thuhet në dokument.
Strategjia përfshin institucionet përgjegjëse në këtë aspekt që janë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia e Trajnimit të Koncesioneve dhe Agjencia e Prokurimit Publik. Ndërkohë që treguesit e performancës që lidhen me këtë çështje janë : Analiza e Legjislacionit; Tabela e Përputhshmërisë; Hartimi i kuadrit të ri ligjor në fushën e koncesioneve dhe PPP.; Miratimi i i kuadrit të ri ligjor në fushën e koncesioneve dhe PPP në Kuvend; Përmirësimi i rolit politikbërës të ATRAKO; Materiale të tjera ndihmëse./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor