Vendosni fjalën kyçe....

Vetëvrasja e nënës së 4 fëmijëve që i hapën profil denigrues në TikTok, Policia e Durrësit reagim zyrtar


Policia e Durrësit ka dhënë sqarimin zyrtar lidhur me rastin e vetëvrasjes së një 41-vjeçareje në Durrës, nënë e katër fëmijëve tre ditë më parë.

Sipas policisë, viktima ka bërë një kallëzim në dhjetor 2022 se i kishin hapur një profil fals në TikTok.

Lidhur me kallëzimin policia thotë se janë kryer të gjitha veprimet  dhe çështja ka kaluar në prokurori.  

Policia shkruan gjithashtu në sqarimin e saj se pas kallëzimit të dhjetorit 2022 qytetarja në fjalë nuk ka bërë më asnjë kallëzim apo nuk ka shfaqur asnjë shqetësim.

Njoftimi

“Në lidhje me një lajm të publikuar në media, për një shtetase që ka humbur jetën pasi dyshohet se ka konsumuar fotoksinë, për shkak të bullizmit, ju sqarojmë se:

Më datë 02.01.2024, në orën 16:30, jemi njoftuar nga shërbimet e spitalit se shtetasja B. L., 41 vjeçe, që dyshohej se kishte konsumuar lëndë helmuese fotoksinë, edhe pse kishte marrë ndihmë mjekësore, nuk kishte mundur të jetonte.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka kryer të gjitha veprimet me grup hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Sqarojmë se në dhjetor të vitit 2022, shtetasja B. L. ka bërë kallëzim se në rrjetet sociale ishte hapur një adresë false me emrin e saj.

Për kallzimin e bërë ne dhjetor 2022, Policia ka kryer të gjitha veprimet dhe i ka referuar materialet në Prokurori dhe çështja është në hetim në Prokurori. Pas këtij kallëzimi nuk ka patur asnjë kallëzim apo shqetësim nga shtetasja B. L, për këtë rast.

Në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.

Ndërkohë që vijojnë hetimet intensive për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve që kanë keqpërdorur të dhënat e shtetases B. L.”