Vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, e cila ishte e pranishme në protestën e zhvilluar poshtë banesës së babait të saj ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë ‘arrest në shtëpi, është prononcuar për mediat, duke folur për Partinë Demokratike dhe për kreun e PD-së zyrtare, Lulzim Basha.
Lulzim Bashën, Argita Malltezi e cilësoi të mbaruar, teksa shtoi se “kushdo që qëndron mbi një kalë të ngordhur i bën llogaritë gabim”.
“Lulzim Brava është një histori e mbaruar. Kushdo që qëndron mbi një kalë të ngordhur i bën llogaritë gabim, por kjo është çështje personale. Lulzim Basha është i mbaruar dhe këtë e them me bindjen time më të plotë”, tha ajo për A2CNN.
Argita Malltezi komentoi zërat se ajo mund t’i bashkohet Partisë Demokratike.
“Siç e kam thënë dhe më përpara kjo nuk është çështja e momentit. Çështja e momentit është arsyeja pse njerëzit dalin në rrugë dhe kjo është rikthimi i dinjitetit të kështjellës së demokratëve.
Unë jam një prej tyre në këtë shesh. PD-ja shumë shpejt do të jetë e bashkuar.
Demokratët e vërtetë shumë shpejt do të jenë të bashkuar. Formulat i gjejnë strukturat e PD-së, por unë kam besim se nga ngjarjet që ndodhin kjo do të jetë shumë e shpejtë”, u shpreh ajo.