Inspektori i Lartë i Drejtësisë zhvilloi një leksion të hapur me pjesëmarrësit e Akademisë së Integrimit Europian dhe Negociatave, në modulin “Pavarësia dhe efikasiteti i Sistemit të Drejtësisë – reformat para dhe pas anëtarësimit”, në kuadër të edicionit “Shteti i së Drejtës”.
Artur Metani bëri një prezantim të rolit dhe funksioneve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe iu përgjigj pyetjeve mbi institucionin që drejton, sistemin e ri të drejtësisë dhe pritshmëritë e publikut.
Metani nënvizoi rëndësinë që ka informimi për institucionet e drejtësisë dhe jo vetëm, sepse shumë flitet për ILD-në, edhe për institucione të tjera, por pak nga atë që flasin, ulen të lexojnë e kuptojnë rolin e këtyre institucioneve dhe kjo krijon premisa të gabuara që në koncept. “Dëgjoj që referenca të tilla si “drejtësia e re” për shembull, – tha z. Metani.
–“ Në fakt ka një sistem të ri drejtësie, e jo “drejtësi të re”, sepse janë të njëjtët njerëz, që kanë qenë pjesë e një sistemi tjetër organizimi, e tani janë në një sistem të ri, me më shumë kompetenca.”
Duke iu përgjigjur interesit të pjesëmarrësve mbi pritshmëritë publike nga drejtësia e institucionet e saj, Metani tha se nuk mund të ndalohet askush të thotë atë që mendon.
“Çdokush ka të drejtë të thotë, të shprehë atë që mendon për punën e organeve të drejtësisë. Mbrojtja më e mirë e jona është transparenca dhe thjeshtësia e qartësia e vendimeve tona. Pra që ato të jenë të kuptueshme e pa terma që krijojnë ekuivok, edhe për qytetarin e zakonshëm. Nëse institucionet janë të qarta e transparente, çdokush arrin ta bëjë vetë dallimin për cilësinë e punës së tyre. Nuk mund të ndalohet askush të thotë atë që mendon. Niveli pastaj, natyrisht ka të bëjë me kulturën e secilit, formimin e informimin. Por secili nga ne mund e duhet të flasë me punën e vet.”
Interesi i pjesëmarrësve, punonjës të institucioneve qendrore e vendore, të drejtësisë, të organizatave të shoqërisë civile, universiteteve, mediave dhe profesioneve të lira, vijoi edhe për sjelljen e magjistratëve, etikën, perceptimin publik në raport me realitetin.