Vendosni fjalën kyçe....

Borell paralajmëron Izraelin dhe Libanin: Askush nuk del i fituar në një konflikt rajonal


Shefi i Politikës së Jashtme të BE, Josep Borrell deklaroi se Libani nuk duhet të tërhiqet në një konflikt rajonal si rezultat i luftës së Izraelit me Hamasin.

Duke folur gjatë vizitës së tij në Liban, Borrell tha se ishte e domosdoshme shmangia e një përshkallëzimi rajonal në Lindjen e Mesme dhe paralajmëroi Izraelin se askush nuk do të dalë fitimtar nga një konflikt i tillë.

Borrell i bëri komentet gjatë një konference për shtyp me kryeministrin libanez, Najib Mikati pas bisedimeve që pati me zyrtarë të lartë të qeverisë mbi situatën në dhe rreth Gazës, duke përfshirë ndikimin e luftës dhe situatën në kufirin izraelito-libanez.

“Ne shohim një përshkallëzim në shkëmbimin e zjarrit midis Libanit dhe Izraelit dhe lufta duhet të shmanget. Askush nuk fiton në konfliktin rajonal dhe unë e informova Izraelin për këtë dhe theksova domosdoshmërinë e punës përmes diplomacisë për t’i dhënë fund konfliktit. Ne duhet të veprojmë për të arritur një armëpushim të përhershëm në Gaza dhe për të liruar pengjet.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit, 100 për qind e popullsisë së Rripit të Gazës vuan nga një krizë ushqimore. Gaza nuk mund të izolohet nga Bregu Perëndimor dhe është pjesë e territorit të pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967”, theksoi ai.