Vendosni fjalën kyçe....

Kryediplomatja franceze: Nuk i takon Izraelit të përcaktojë të ardhmen e Gazës


Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, tha se “nuk i takon Izraelit të përcaktojë të ardhmen e Gazës, e cila është tokë palestineze”, transmeton Anadolu.

Kryediplomatja franceze i bëri komentet për CNN dhe hodhi poshtë sugjerimin e ministrave izraelitë se zhvendosja e palestinezëve jashtë Gazës është një mundësi.

Këto thirrje janë “të papërgjegjshme” dhe “na largojnë nga zgjidhja”, tha ministrja Colonna, teksa theksoi se sugjerimet janë gjithashtu kundër interesave afatgjata të Izraelit.

“Ne duhet t’i kthehemi parimit të së drejtës ndërkombëtare dhe ta respektojmë atë“, tha Colonna.

Ajo theksoi mbështetjen e Francës për një zgjidhje me dy shtete, e cila është “opsioni i vetëm i zbatueshëm”, duke shtuar: “Gaza dhe Bregu Perëndimor patjetër të jenë së bashku pjesë e shtetit të ardhshëm palestinez”.

Ajo tha se civilët nuk janë përgjegjës për krimet dhe duhet të mbrohen, duke përsëritur detyrimin për të ndjekur ligjin ndërkombëtar dhe për të mbrojtur popullsinë civile.

Colonna tha se Franca është e angazhuar për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës nga të gjitha palët, duke përfshirë zonat fqinje si Libani dhe Deti i Kuq.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor.

Të paktën 22.600 palestinezë janë vrarë që atëherë dhe 57.910 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Sulmi e ka lënë Gazën në gërmadha, ku 60 për qind të infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, dhe gati 2 milionë banorë janë zhvendosur mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.