Rithemelimi ka mbledhur sot Kryesinë në selinë e Partisë Demokratike. Kjo do të shënojë dhe mbledhjen e parë pas dhënies së masës “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha.
I pari që mori fjalën ishte deputeti Flamur Noka, teksa që në nisje të fjalës së tij u ndal te masa e vendosur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Noka u shpreh se Rama do që të zhdukë opozitën, prandaj ai thotë se në këtë situatë çdo demokrat duet të hidhet në betejë.
“Berisha sot është i burgosur politik. Rama çeli siparin e një neodikature. Do që të zhdukë opozitën. Në këtë situatë të imponuar, çdo demokrat, dhe çdo drejtues i PD duhet dhe do të hidhet në betejë. Ne duhet të marrim me shpejtësi kthesën dhe t’i përgjigjemi Ramës. Për këtë nuk do të ketë asnjë hezitim. Skema për të asgjësuar opozitën, është skemë e vjetër. Ata i kanë bërë llogaritë gabim. Ka një dallim mes liderëve dhe kryetarët. Kryetarët shkojnë dhe vinë, liderët mbeten. Ai nuk ka marrë askënd peng. Kjo që po ndodh sot është përpjekje për të ndryshuar të shkuarën. Berisha është politikani kyç në ndryshimet demokratike të 90. Ai i priu ndryshimit. ”, tha Noka.