Një 26-vjeçar është arrestuar në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, pasi u kap në flagrancë teksa transportonte në mënyrë të paligjshme 4 emigrantë.
26-vjeçari i identifikuar si Klevi Jashari po transportonte me automjetin e tij tip “Toyta” 4 emigrantët, duke u premtuar kundrejt pagesës se do t’i kalonte drejt vendeve të BE-së.
“Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin K. J. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 4 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga ky shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së”,- njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar automjetin dhe celularin e 26-vjeçarit.
Zbulimi i kësaj veprimtarie të paligjshëm të 26-vjeçarit dhe arrestimi i tij u bënë në kuadër të operacionit policor të koduar “Midnight 24”.