Vendosni fjalën kyçe....

Shoqëria civile protestë për 41-vjeçaren e vetëvrarë me fotoksinë


Aktivistë të shoqërisë civile u bënë bashkë këtë të shtunë në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, me moton “Lufto për të drejtat e tua, bashkë kundër bullizmit”duke reaguar kështu për ngjarjen e rëndë e regjistruar pak ditë më parë në Durrës, ku humbi jetën në mënyrë tragjike një 41 vjeçare, duke u vetëvrarë pas denigrimit në rrjetet sociale

Për aktivistët mosfunksionimi i reagimit të institucioneve ligjzbatuese ndaj denoncimeve mbi kërcënimet dhe bullizmin online është një shqetësim që duhet të gjejë urgjent zgjidhje.

“Ky lloj bullizmi vjen nga mungesa e shtetit, sepse siç e thatë më përpara rasti është denoncuar në polici dhe kjo e fundit nuk ka marrë asnjë hap”,- u shpreh aktivisti.

“Vitin e kaluar ne kemi pas 20 gra të vrara nga burrat, ish-burrat, apo njerëz të afërt të familjes. Këtë vit, në qoftë se kjo do të dalë që është shtyrë vetëvrasja nga bashkëshorti, ky do të jetë femicidi i parë”,- tha një tjetër.

“I bëjmë thirrje të gjithë institucioneve, që t’i trajtojnë me shumë seriozitet të gjitha kërkesat e qytetarëve që kanë të bëjnë me kërcënimet apo shantazhet online për të çuar përpara drejtësisë, jo vetëm autorët e kësaj ngjarje, por të gjithë emrat që rrinë nëpër dosje të pluhurosura në zyrat e prokurorisë”,- përfundoi aktivistja.

Për sociologun Gëzim Tushe, gratë dhe fëmijët janë më të rrezikuar dhe më të prekur nga bullizimi nw rrjetet sociale, ndërsa kërkoi vëmendje më shumë nga vendimmarrësit, sidomos gratë dhe vajzat e politikës.

“Më bën çudi ky solidaritet, kjo indiferenca sociale e shoqërisë shqiptare është e turpëshme. Kjo tregon se jemi larg standarteve europiane. Nuk shikoj asnjë këtu, asnjë deputete, asnjë ministre, që shëtisin, qarkullojnë e kanë gjithë ato privilegje sociale. Imagjinoni që ato nuk kanë solidaritetin e parë që duhet ta kishin me femrat, që në këtë rast nuk është i vetmi”,- u shpreh Tushe.

Pavarësisht thirrjeve dhe postimeve në rrjetet sociale, pjesëmarrja e qytetarëve në këtë protestë sensibilizuese ishte tepër e ulët.