Vendosni fjalën kyçe....

Sot 6 muaj në ‘arrati’, sipas Kushtetutës Arben Ahmetaj humb mandatin


6 korriku i vitit të kaluar ishte dita e fundit kur Arben Ahmetaj u paraqit në Kuvend. Një javë më pas Kuvendi dha autorizimin për arrestimin e tij.

Këtë të shtunë bëhen plot 6 muaj kalendarike që ish zv. Kryeministri mungon në parlament pasi ndodhet në arrati. Dhe pikërisht për këtë arsye ai mund të konsiderohet me mandat të humbur.

Sipas Kushtetutës, konkretisht nenit 71, pika 2, germa d, mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm kur mungon 6 muaj rresht në Kuvend.

Pasi të kthehet nga pushimet, me nisjen e sesionit të ri parlamentar Kuvendi do të duhet të konstatojë pavlefshmërinë e mandatit dhe të njoftojë KQZ-në me vakancën, ndërsa institucioni i zgjedhjeve të bëjë zëvendësimin sipas rezultateve të zgjedhjeve të 2021 në qarkun e Tiranës, aty ku Ahmetaj u zgjodh deputet me 11.287, duke u renditur në top listën e 5 më të votuarve të PS në këtë qark.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, mandati i Ahmetajt merret nga Dallëndyshe Bici, aktualisht Drejtoreshë e Kadastrës, e në rast se për shkak të postit, Bici refuzon mandatin, ai i kalon juristit Plarent Ndreca, me 4008 vota personale.

Mbi Arben Ahmetajn rëndojnë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, në lidhje me skandalin e inceneratorëve. Më 20 korrik SPAK lëshoi urdhër arresti për të, ndërsa disa ditë më vonë u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Pavarësisht se i zhveshur nga imuniteti, Ahmetaj nuk mori asnjë vendim për të hequr dorë vullnetarisht nga mandati, teksa as kolegët e tij në grupin e PS nuk morën asnjë vendim për ta përjashtuar nga grupi.