Vendosni fjalën kyçe....

Spanja njeh pasaportat e Kosovës


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza edhe në Spanjë, pasi Madridi zyrtar tashmë i njeh pasaportat e Kosovës.

Përmes një njoftimi në Facebook, Bislimi tha se ky lajm është kumtuar nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Bashkimit Evropian.

“Ndërsa më 1 janar nisi lëvizja pa viza, Spanja është destinacion që i shtohet vendeve të zonës Schengen ku mund të udhëtojmë përmes liberalizimit, e ku pengesë më herët ishte mosnjohja e pasaportës sonë”, shkroi Bislimi.

Qytetarët e Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, nga 1 janari po mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen me 27 anëtarë, pasi hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë, udhëtimi pa viza fillimisht nuk ishte i mundur në Spanjë.

Spanja është në mesin e pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e ku bëjnë pjesë edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Megjithatë, të gjitha këto shtete njohin dokumentet e udhëtimit të lëshuara nga autoritetet në Kosovë.

Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk nënkupton leje pune apo përfitime të tjera.

Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më 1 janar të këtij viti nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva./REL