Ish-kryeministri Berisha ka përsëritur ritualin e përnatshëm të komunikimit me mbështetësit që mblkodhen poshtë dritares së tij. Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie pasi hetohet për dosjen e privatizimit të terreneve të klubit Partizani, tha se e keqja që po rrënon kombin është Edi Rama.
Po kështu sipas Berishës, kryeministri Rama nuk ka të ardhme dhe se shumë shpejt do jetë para gjyqit të historisë.
“E keqja që po rrënon kombin quhet Edi Rama dhe regjimi i tij. Në rast se mendojmë se çfarë është shpresa, shpresa është rrezja që shpon çdo errësirë e tunel dhe që jep dritë udhës që duhet të ndjekim. Shpresa sot jeni ju, me qëndresën tuaj, ku keni vendosur të përballeni me diktaturën dhe të qëndroni si opozitarë të pamposhtur. Edi Rama, nuk ka të ardhme. Plaçkitja e votës së shqiptarëve dhe pushteti mbi drogën shumë shpejt do jetë para gjyqit të historisë. Ju jeni burra dhe gra që i besoni të vërtetës dhe Zotit. Nuk ka sot gjë më jetike se sa besimi juaj dhe i të rinjve, burrave e grave të saj. Censusi mbahet sekret, ai tregon se nga 2.9 mln në vitin 2013, sot nuk jemi as 1.5 mln në Shqipëri. Kurrë në histori, një luftë apo epidemi nuk ka dërrmuar shqiptarët siç ka bërë sot regjimi i Edi Ramës.” – tha Berisha.
Kreu i Rithemelimit shtoi më tej se shqiptarët duhet të luftojnë për liri, për të drejtat e tyre e për të rrënuar ëndrrën e kryeministrit Rama për një vend pa opozitë.
“Luftoni për lirinë dhe të drejtat tuaja, por kjo miqtë e mi kërkon të vrasim frikën. Na duhet që të rikujtojmë dhe njëherë armën me të cilën Papa Gjon Pali u bë Papa liberator, në kulmin e territ të diktaturave komuniste, ai iu drejtua besimtarëve me një fjalë të vetme. Mos jini të trembur, mos kini frikë. Ajo fjalë u shndërrua në shpatën e idealeve me të cilat njerëzit e shtypur luftuan dhe mposhtën diktaturat komuniste. Ky është një apel për çdo qytetar shqiptar, se këta bastardë e kriminelë duken të fortë vetëm se nuk ngrihemi ne. Ne duhet të rrënojmë ëndrrën e Edi Ramës për një vend pa opozitë.” – shtoi Berisha.