Vendosni fjalën kyçe....

Diskutimet në Izrael për zgjerimin e luftës në Liban alarmojnë SHBA-në


Presidenti Biden ka dërguar ndihmësit e tij të lartë në Lindjen e Mesme me një objektiv kritik: Parandalimin e shpërthimit të një lufte të plotë midis Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah.

Izraeli e ka bërë të qartë se e sheh si të rrezikshëm për sigurinë shkëmbimin e rregullt të zjarrit midis forcave të tij dhe Hezbollahut përgjatë kufirit dhe se së shpejti mund të nisë një operacion të madh ushtarak në Liban.

“Ne paraëlqejmë rrugën e një zgjidhjeje diplomatike të rënë dakord”, tha të premten ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, “por po i afrohemi pikës ku lufta mund të jetë e pakthyeshme”.

Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mund të shohë një luftë të zgjeruar në Liban si çelës për mbijetesën e tij politike mes kritikave të brendshme për dështimin e qeverisë së tij për të parandaluar sulmin e Hamasit të 7 tetorit, i cili vrau rreth 1200 njerëz dhe çoi në pengmarrjen e 240 pengjeve, të cilët u dërguan në Gaza.

Në biseda private, administrata Biden e ka paralajmëruar Izraelin kundër një përshkallëzimi të rëndësishëm në Liban. Nëse do ta bënte këtë, një vlerësim i ri sekret nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) zbuloi se do jetë e vështirë për Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) të kenë sukses, sepse asetet dhe burimet e saj ushtarake do shpërndaheshin shumë duke pasur parasysh luftën në Gaza, sipas dy personave të njohur me çështjen. Një zëdhënës i DIA-s nuk dha asnjë koment.

Më shumë se dhjetëra zyrtarë të administratës dhe diplomatë folën për The Washington Post për këtë raport, disa në kushte anonimiteti.

Hezbollahu, një kundërshtar prej shumë kohësh i SHBA-së me luftëtarë të stërvitur mirë dhe dhjetëra mijëra raketa, dëshiron të shmangë një përshkallëzim të madh, sipas zyrtarëve amerikanë, të cilët thonë se lideri i grupit, Hasan Nasrallah, po kërkon të shmangë një luftë më të gjerë. Në një fjalim të premten, Nasrallah u zotua për një përgjigje ndaj agresionit izraelit, ndërsa la të kuptohet se ai mund të jetë i hapur për bisedime për demarkacionin e kufirit me Izraelin.

Sekretari i Shtetit, Antony Blinken do mbërrijë në Izrael të hënën, ku do diskutojë hapat specifikë për të “shmangur përshkallëzimin”, tha zëdhënësi i tij, Matt Miller përpara se të hipte në një aeroplan për në Lindjen e Mesme.

“Nuk është në interesin e askujt, as të Izraelit, as të rajonit, as të botës, që kjo luftë të përhapet përtej Gazës”, tha Miller. Por kjo pikëpamje nuk mbahet në mënyrë të njëzëshme brenda qeverisë së Izraelit.

Që nga sulmi i Hamasit në tetor, zyrtarët izraelitë kanë diskutuar nisjen e një sulmi parandalues ​​ndaj Hezbollahut, thanë zyrtarët amerikanë. Kjo perspektivë është përballur me kundërshtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për shkak të gjasave se do tërhiqte Iranin, i cili mbështet të dy grupet dhe forcat e tjera përfaqësuese në luftë – një ngjarje që mund të detyrojë Shtetet e Bashkuara të përgjigjen ushtarakisht në emër të Izraelit.

Zyrtarët kanë frikë se një lufta në shkallë të plotë mes Izraelit dhe Libanit do e tejkalojë gjakderdhjen e luftës Izrael-Liban të vitit 2006 për shkak të arsenalit më të madh të Hezbollahut të armëve me rreze të gjatë dhe të sakta.

“Numri i viktimave në Liban mund të jetë diku nga 300,000 në 500,000 dhe do sjellë një evakuim masiv të të gjithë Izraelit verior”, tha Bilal Saab, një ekspert i Libanit në Institutin e Lindjes së Mesme, një institut kërkimor në Uashington.

Hezbollahu mund të godasë më thellë Izraelin sesa më parë, duke goditur objektiva të ndjeshme si impiantet petrokimike dhe reaktorët bërthamorë, dhe Irani mund të aktivizojë milicitë në të gjithë rajonin.

Kërcënimi i një lufte më të gjerë vijoi të rritet të shtunën pasi Hezbollahu lëshoi ​​rreth 40 raketa në Izrael në përgjigje të vrasjes së dyshuar të liderit të lartë të Hamasit Saleh Arouri dhe gjashtë të tjerëve në një sulm ajror në Bejrut, kryeqytetin e Libanit, ditë më parë.

Në javët e fundit, shkëmbimet e rregullta të zjarrit mes Izraelit me Hezbollahun përgjatë kufirit janë bërë më agresive, duke tërhequr qortime private nga Uashingtoni, thanë zyrtarët amerikanë.

Sipas inteligjencës amerikane të rishikuar nga The Post, IDF ka goditur pozicionet e Forcave të Armatosura Libaneze (LAF) të financuara dhe stërvitura nga SHBA-ja më shumë se 34 herë që nga 7 tetori, thanë zyrtarë të njohur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara e shohin LAF-në si mbrojtësin kryesor të sovranitetit të Libanit dhe një kundërpeshë kyçe ndaj ndikimit të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Më 5 dhjetor, katër seri të zjarrit të tankeve izraelite çuan në vrasjen e një ushtari të LAF dhe plagosjen e tre të tjerëve. Më 8 dhjetor, zjarri i artilerisë izraelite që përmbante fosfor të bardhë goditi objektet e LAF, duke plagosur një ushtar të LAF që thithi tymrat e dëmshëm. Më 4 nëntor, zjarri izraelit kundër një pozicioni LAF në Sarda la një “gropë të madhe në strukturën e LAF”, sipas inteligjencës së SHBA-së. Disa hollësi të këtyre sulmeve u raportuan më parë nga CNN.

Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranoi të komentojë mbi sulmet izraelite, por Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se Uashingtoni i ka përcjellë Izraelit se sulmet ndaj LAF dhe civilëve libanezë janë “plotësisht të papranueshme”.

Një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha se administrata Biden ka qenë “shumë e drejtpërdrejtë dhe e ashpër” me izraelitët për këtë çështje dhe ka thënë se lëndimet dhe vdekjet e Forcave të Armatosura Libaneze nuk janë të pranueshme.

Zyrtari tha gjithashtu se një prioritet ishte ruajtja e besueshmërisë së Forcave të Armatosura Libaneze dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë gjithçka që mundet për t’i forcuar dhe mbështetur ato, pasi ato do të ishin një përbërës jetik i çdo skenari në Liban në të cilin Hezbollahu do jetë dobësuar dhe do përbëjë më pak kërcënim për Izraelin.

Zyrtari theksoi, megjithatë, se Hezbollahu është një “kërcënim legjitim” për Izraelin dhe tha se shteti hebre ka të drejtë të mbrohet.

Një zyrtar izraelit i tha The Post se Izraeli nuk synon qëllimisht pozicionet e LAF dhe fajësoi Hezbollahun për ngritjen e tensioneve.

“Hezbollahu filloi të qëllonte në territorin izraelit, pa provokim, më 8 tetor dhe ka vijuar ta bëjë këtë në baza ditore, duke gjuajtur mijëra predha. Izraeli u detyrua të përgjigjet në vetëmbrojtje,” tha zyrtari.

“Si rezultat i agresionit të Hezbollahut, dhjetëra mijëra izraelitë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Shteti i Izraelit nuk do kthehet në status quo-në e paraluftës në të cilën Hezbollahu përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm ushtarak për sigurinë e tij përgjatë kufirit Izrael-Liban”, shtoi zyrtari.

Kur zyrtarët izraelitë hodhën për herë të parë idenë për të sulmuar Hezbollahun gjatë ditëve të fillimit të konfliktit të Gazës, zyrtarët amerikanë ngritën menjëherë kundërshtime, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Zyrtarët izraelitë fillimisht ishin të bindur se grupi militant libanez qëndronte pas sulmit  të Hamasit dhe kishin marrë informacione të këqija se një sulm i Hezbollahut ishte i pashmangshëm në ditët pas 7 tetorit, sipas dy zyrtarëve të lartë amerikanë. Kishte frikë të thellë në Izrael se qeveria do humbiste shenjat e një sulmi tjetër të dhunshëm.

Biden ishte në telefon deri në tre herë në ditë, tha zyrtari i lartë i administratës, pjesërisht duke punuar për të larguar Izraelin nga sulmi i Hezbollahut – një veprim që do kishte çuar në “shpërthimin e ferrit”, tha zyrtari. Frika e thellë e izraelitëve për kërcënimin ndikoi në vendimin e Biden për të fluturuar në Tel Aviv më pak se dy javë pas sulmit të Hamasit, sipas një prej zyrtarëve të lartë.

Rreziku që Izraeli mund të nisë një sulm në shkallë të plotë ndaj Hezbollahut nuk është zhdukur kurrë, thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit, por ka pasur shqetësim më të gjerë për një përshkallëzim në javët e fundit, veçanërisht pasi Izraeli njoftoi tërheqjen e përkohshme të disa mijëra trupave nga Gaza më 1 janar, një vendim që mund të hapë burime për një operacion ushtarak në veri.

“Ata kanë një dorë më të lirë për të përshkallëzuar,” tha një zyrtar amerikan.

Një zyrtar tjetër amerikan tha se forcat që Izraeli tërhoqi nga Gaza mund të vendosen në veri pasi t’u jepet koha e mjaftueshme për të pushuar dhe për t’u përgatitur për një valë tjetër luftimi. Por forca ajrore e Izraelit është gjithashtu e mbingarkuar, pasi ka kryer sulme të vijueshme që nga fillimi i luftës në tetor, tha zyrtari, duke shpjeguar vlerësimin e Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes se një përshkallëzim në Liban do t’i zvogëlonte forcat izraelite.

Pilotët janë të lodhur dhe aeroplanët duhet të mirëmbahen dhe riparohen, tha zyrtari. Ata do përballeshin me misione më të rrezikshme në Liban se sa në Gaza, ku Hamasi nuk ka shumë mundësi për mbrojtjen kundërajrore për të rrëzuar aeroplanët sulmues.

Të enjten, Biden dërgoi të dërguarin special Amos Hochstein në Izrael për të punuar në një marrëveshje për të ulur tensionet në kufirin libanezo-izraelit. Qëllimi afatshkurtër është të zhvillohet një proces për të filluar negocimin e një marrëveshjeje për demarkacionin e kufijve që mund të përcaktojë se ku dhe si të dy palët  do vendosin forcat përgjatë kufirit në një përpjekje për të stabilizuar situatën.

Zyrtarët amerikanë dhe francezë janë në diskutime me qeverinë libaneze mbi një propozim që do detyronte që qeveria libaneze të marrë kontrollin e një pjese të kufirit Liban-Izrael, në vend të Hezbollahut, për të ndihmuar në zbutjen e shqetësimeve izraelite, sipas dy personave të njohur me bisedat.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të hapë hollësi mbi planin.

“Ne vijojmë të eksplorojmë dhe shterojmë të gjitha mundësitë diplomatike me partnerët tanë izraelitë dhe libanezë”, tha zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

“Kthimi i qytetarëve izraelitë dhe libanezë në shtëpitë e tyre, të jetuarit në paqe dhe siguri është me rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara.”

Zyrtarët amerikanë pranojnë se Hezbollahu nuk ka gjasa të pajtohet me një marrëveshje kufitare ndërkohë që shumë palestinezë në Gaza po vriten ose plagosen si rezultat i fushatës ushtarake të Izraelit atje.

Brenda administratës, ka perceptime të ndryshme rreth interesit të Netanyahut për një zgjidhje të negociuar të konfliktit të Hezbollahut. Një zyrtar i lartë amerikan tha se premtimi i liderit izraelit për të krijuar një “ndryshim themelor” për të adresuar luftimet kufitare me Hezbollahun është thjesht gënjeshtër që synon të përfitojë lëshime nga grupi libanez. Të tjerë thanë se nëse lufta e Gazës përfundon nesër, karriera politike e Netanyahut do përfundojë bashkë me të, duke e nxitur atë të zgjerojë konfliktin.

“Logjika politike për Netanyahun është që të rikthehet pas dështimit historik të 7 tetorit dhe të ketë një lloj suksesi për t’ia treguar publikut izraelit,” tha Saab, eksperti i Libanit.

“Nuk jam i sigurt që ndjekja e Hezbollahut është mënyra e duhur për ta bërë këtë, sepse ajo fushatë do të jetë shumë më sfiduese se ajo në Gaza”.

I pyetur nëse stimujt politikë po i drejtojnë ambiciet ushtarake të Netanyahut, një zyrtar i lartë i qeverisë izraelite tha vetëm se “kryeministri do vijojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar Izraelin dhe të ardhmen e tij”.

Përpara se të fluturonte për në Jordani, Blinken tha se ulja e tensioneve në kufi “është diçka për të cilën ne jemi duke punuar në mënyrë shumë aktive”.

“Është padyshim një interes shumë i përbashkët midis vendeve në rajon”, tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WP

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani