Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se kryen katër vjedhje me dhunë, arrestohet 19-vjeçari bashkë me 2 të mitur në Tiranë


Policia e kryeqytetit ka arrestuar një 19-vjeçar dhe dy të mitur të moshës 17-vjeç pasi dyshon se kanë kryer 4 vjedhje ditët e fundit në Tiranë.

Në banesën e njërit prej të miturve, policia ka gjetur dhe një sasi lënde narkotike kanabis.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, Nr. 1, Nr. 3, dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për garantimin e sundimit të ligjit në territor, pas informacioneve të marra se në zona të ndryshme të Tiranës, tre shtetas kishin kryer tre vjedhje me dhunë, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar dhe si rezultat kanë vënë në pranga shtetasin E. Sh., 19 vjeç, si dhe dy të mitur të moshës 17 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, iu kanë vjedhur me dhunë, disa shtetasve, shuma të ndryshme parash. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se 3 të arrestuarit janë autorë të dyshuar të 4 vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit, në disa lagje të Tiranës.

Gjatë kontrollit të banesës së njërit prej 17-vjeçarëve, shërbimet e Policisë, gjetën doza me lëndë narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan  cilësinë e provës materiale.

Po punohet për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.’– njofton policia.