Vendosni fjalën kyçe....

Kina sanksionon kompanitë amerikane të mbrojtjes


Kina ka sanksionuar pesë kompani amerikane të industrisë së mbrojtjes në përgjigje të “veprimeve të gabuara të ndërmarra nga SHBA-ja”, ka njoftuar Ministria e Jashtme. Masa thuhet të jetë një kundërmasë ndaj vendimit të Uashingtonit për të vijuar me shitjet e reja të armëve te Tajvant, si dhe sanksionimin e njëanshëm të bizneseve kineze.

Kjo vjen pasi Uashingtoni miratoi një shitje prej 300 milionë dollarësh armësh te Tajvani muajin e kaluar, përpara zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Tajvanit më 13 janar, në të cilat zëvendëspresidenti mik i SHBA-së, Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive në pushtet është kandidati kryesor në sondazhet e fundit.

Më herët në vitin 2023, administrata e presidentit amerikan Joe Biden autorizoi një transferim të drejtpërdrejtë ushtarak prej 80 milionë dollarësh në Tajvan sipas një programi që përdoret zakonisht për shtetet sovrane, raportoi Reuters.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën, Ministria e Jashtme tha se sanksionet amerikane të vendosura ndaj kompanive dhe individëve kinezë “nën pretekste të ndryshme të rreme” dëmtojnë “sovranitetin dhe interesat e sigurisë së Kinës, minojnë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”.