Vendosni fjalën kyçe....

Orban mund të marrë “drejtimin” e Këshillit të BE-së


Kryeministri hungarez Viktor Orban, vendi i të cilit do mbajë presidencën e rradhës të Këshillit Evropian më vonë këtë vit, mund të fitojë një ndikim të madh mbi organin për shkak të largimit të pritshëm të presidentit të Këshillit Charles Michel, raportoi Politico të dielën.

Michel ka njoftuar se do kandidojë në zgjedhjet parlamentare të BE-së të këtij viti, që do të thotë se do e lirojë postin që mban nëse fiton. Nëse liderët e BE-së nuk arrijnë të gjejnë shpejt një zëvendësues, detyrat e presidentit në thelb do merreshin nga Orban, tha faqja e lajmeve.

Michel sinjalizoi ambicien në një intervistë me tre media belge të shtunën, duke thënë se nëse zgjidhet, ai do kryejë detyrat e tij në Këshillin e BE-së derisa të bëjë betimin si eurodeputet në mes të korrikut.

Sipas rregullave të BE-së, Hungaria do marrë presidencën e rradhës të Këshillit midis korrikut dhe dhjetorit. Koha mund të çojë në një skenar ku “Orban i pakontrolluar do qeverisë Këshillin për gjashtë muajt direkt pas zgjedhjeve evropiane të 2024,” vuri në dukje Politico, duke shtuar se krerët e tjerë të BE-së do dëshironin “dëshpërimisht” të shmangnin një skenar të tillë.

Orban ka qenë në mosmarrëveshje me zyrtarët në Bruksel në shumë drejtime. Kryeministri hungarez ka qenë kritik ndaj politikës së migracionit të BE-së dhe ka kundërshtuar vazhdimisht dërgimin e armëve në Ukrainë, si dhe integrimin e saj të përshpejtuar në BE. Ai gjithashtu ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, duke thënë se ato dëmtojnë ekonominë e bllokut.

Udhëheqësit e BE-së janë planifikuar të takohen më 17 qershor dhe 27-28 qershor, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të BE-së. Politico dhe media të tjera kanë sugjeruar se do t’i përdorin këto mundësi për të rënë dakord për një zëvendësim të Michel nëse ai fiton zgjedhjet, megjithëse procesi do të duhet të ecë më shpejt se zakonisht. Në rrethana normale, mandati i Michel skadon në nëntor 2024.

Presidenti i Këshillit të BE-së ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimet se ai po braktis anijen gjatë krizave të njëkohshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, duke thënë se i kanë mbetur të paktën gjashtë muaj në postin e tij.