Vendosni fjalën kyçe....

Bekimi i çifteve të të njëjtit seks trazon katolikët e Afrikës


Është në kundërshtim me vlerat e kontinentit, thonë shumë peshkopë, dhe kërcënon të prishë zgjerimin në rajonin me rritjen më të shpejtë të kishës në botë.

Deklarata e fundit e Vatikanit që lejon bekimin e çifteve të të njëjtit seks shkaktoi një bujë në mbarë globin, por ndoshta mbi të gjitha në Afrikë, një qendër në rritje e së ardhmes së Kishës Katolike Romake. Në deklarata që pasuan njëra-tjetrën, peshkopët në disa vende folën për frikën dhe konfuzionin që deklarata ka shkaktuar në besimstarët e tyre dhe thanë se ishte në kundërshtim me kulturën dhe vlerat e kontinentit.

Peshkopët ushqenin gjithashtu një frikë më të thellë: se në një vend ku kisha po rritet më shpejt se kudo tjetër në botë dhe ku shumë forma të krishtërimit po konkurrojnë për adhurues, deklarata mund të ngadalësojë zgjerimin e kishës në kontinent.

Peshkopi John Oballa i Dioqezës Ngong pranë Nairobit tha se një grua i kishte shkruar duke i thënë se një mik i tha se donte sqarime mbi deklaratën, ose përndryshe ai do konvertohej në Kishën Metodiste.

“Ka shumë gjallëri në shumë e shumë dioqeza të Afrikës,” tha Peshkopi Oballa në një intervistë.

“Ne duhet të mbrohemi kundër çdo gjëje që mund ta pengojë atë rritje.”

Ai tha se do t’i këshillonte priftërinjtë e tij që t’u jepnin bekime çifteve të të njëjtit seks vetëm nëse ata po kërkonin forcën e Perëndisë për t’i ndihmuar “të ndalonin së jetuari në bashkime të të njëjtit seks”.

Por nëse çifti donte thjesht një bekim dhe planifikonte të vazhdonte të jetonte siç ishin, “mund të jepte përshtypjen e njohjes së marrëdhënies”, tha ai, duke shtuar se do t’i këshillonte klerikët “të mos bekojnë sepse mund të jetë skandaloze për të tjerët e mund të dobësojë besimin e tyre.”

Javën e kaluar, Vatikani u përpoq të qetësonte ata peshkopë të alarmuar nga rregulli i ri, duke thënë se duhen marrë leje për “kulturën lokale”, por se kjo do mbetet politika e kishës. Peshkopët që kundërshtojnë ndryshimin, thuhet në një deklaratë, duhet të marrin një “periudhë të zgjatur reflektimi baritor” për të kuptuar se pse Vatikani thotë se bekimi i çifteve të të njëjtit seks është në përputhje me mësimet e kishës.

Shtëpia e 236 milionë nga 1.3 miliardë katolikë të botës, Afrika përbënte më shumë se gjysmën e 16.2 milionë njerëzve që iu bashkuan kishës në mbarë botën në vitin 2021. Ndërsa peshkopët dhe udhëheqësit e tjerë të kishës në kontinent merren me pasojat midis famullive të tyre mbi deklaratën, janë ngritur shqetësime më të gjera nëse kjo mund të çojë në një përçarje midis Papa Françeskut dhe një rajoni që është një pikë e ndritshme demografike për katolicizmin.

“Mendoj se tashmë ka një rebelim që ka filluar të thotë: ‘Ne nuk do ta zbatojmë këtë’”, tha At Russell Pollitt, drejtor i Institutit të Jezuitëve në Afrikën e Jugut, duke iu referuar përgjigjeve të peshkopëve anembanë kontinentit.

Disa klerikë afrikanë thanë se prisnin që Vatikani dhe udhëheqësit e kishës në Afrikë të punonin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre. Por deklarata e ka ndërlikuar marrëdhënien dhe do çjë në biseda të vështira midis autoritetit qendror të kishës dhe udhëheqësve të saj afrikanë.

Disa peshkopë madje kanë lënë të kuptohet për një ndarje midis vlerave të kombeve afrikane dhe Perëndimit, ku disa klerikë kishin vite që kundërshtonin udhëzimet e Vatikanit për bekimin e bashkimeve të të njëjtit seks.

“Në kontekstin tonë afrikan, ndërsa njohim konfuzionin që ekziston në vendet më të zhvilluara të modeleve të reja, jo të krishtera të ‘bashkimit bashkëshortor’ dhe ‘stileve të jetesës’, ne jemi shumë të qartë se çfarë është një familje dhe martesa,” thuhet në një deklaratë nga Konferenca e Peshkopëve Katolikë në Kenia.

Pa përjashtim, udhëheqësit e kishës në Afrikë u kanë theksuar ndjekësve të tyre se deklarata e miratuar nga Papa Françesku ishte e qartë e thoshte se martesa mbetej një bashkim midis një burri dhe një gruaje. Ata kanë theksuar se doktrina e kishës për martesën nuk ka ndryshuar dhe se deklarata ka të bëjë me bekimin e individëve, jo marrëdhëniet e tyre.

Peshkopët në Malavi dhe Zambia kanë thënë tashmë se, për të shmangur konfuzionin, klerikët e tyre do të udhëzoheshin të mos u jepnin bekime çifteve të të njëjtit seks. Konferenca e Peshkopëve Katolikë të Nigerisë nuk mori një qëndrim të prerë për këtë çështje dhe tha në një deklaratë se “kërkimi për bekimin e Zotit nuk varet nga sa i mirë është dikush”.

Por ai shtoi se “nuk kishte asnjë mundësi në kishë për të bekuar bashkimet dhe veprimtaritë e të njëjtit seks”, një shenjë për nuancën e deklaratës për bekimin e individëve homoseksualë dhe jo marrëdhënies së tyre.

Konferenca e peshkopëve katolikë të Afrikës së Jugut e pohoi këtë dallim në deklaratën e saj. Por ajo shkoi më tej duke thënë se qëndrimi i kishës ishte se “të gjithë njerëzit, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual, duhet të trajtohen me dinjitetin që e meritojnë si fëmijë të Zotit, të bëhen të ndihen të mirëpritur në kishë dhe të mos diskriminohen apo lëndohen”.

“Disa udhëheqës të kishës afrikane mendojnë fort se nuk duhet as të flasin për homoseksualitetin “sepse ai është joafrikan”, tha peshkopi Sithembele Sipuka i Dioqezës Mthatha në Afrikën e Jugut, i cili është gjithashtu president i konferencës së Afrikës së Jugut. Të tjerët, shtoi ai, ndiheshin ndryshe sepse ata personalisht njihnin homoseksualët.

“Nuk është përvoja jonë, kjo është diçka gjë që ata morën nga Evropa,” tha ai.

Konferenca e tij e ka interpretuar deklaratën që të thotë se njerëzit në marrëdhënie të të njëjtit seks mund të bekohen, tha ai, por individualisht dhe jo të prezantohen së bashku.

Muaj përpara deklaratës së Vatikanit, peshkopi Martin Mtumbuka i Dioqezës Karonga në Malavi mbajti një predikim të zjarrtë duke akuzuar pastorët perëndimorë se po përpiqeshin të ndryshonin fjalën e Zotit për të pranuar homoseksualët si një mënyrë për të tërhequr një grup më të madh priftërinjsh dhe thirrje të tjera fetare.

“Çdo njëri prej nesh nga pastorët që e përkrah këtë është thjesht një heretik dhe po mashtron veten,” tha peshkopi Mtumbuka, sipas një regjistrimi audio të predikimit, i cili qarkulloi gjerësisht në mediat sociale pas deklaratës së Vatikanit.

Francisco Maoza, 48 vjeç, një famullitar që jeton në kryeqytetin e Malavit, Lilongëe, tha se u lehtësua kur peshkopët e vendit të tij thanë se nuk do të lejonin bekimet për çiftet e të njëjtit seks.

“Unë ende mendoj se pozicioni i Papës është i gabuar,” tha Maoza, një marangoz.

“Në kontekstin afrikan, edhe në kulturën e Malavit, ne nuk i lejojmë burrat dhe gratë të martohen me njerëz të seksit të tyre. Pra, pse duhet të lejohen priftërinjtë të bekojnë bashkime ë tilla?”

Një tjetër katolike në Malavi, Josephine Chinaëa, tha se ndjente se Papa Françesku duhej të largohej për shkak të deklaratës.

“Unë me të vërtetë nuk mund ta kuptoja motivimin e tij,” tha ajo. “Ndoshta ai është shumë i vjetër.”

Megjithatë, At Pollitt tha se disa udhëheqës të kishës në Afrikë po tregoheshin hipokritë. Ndërsa kritikojnë ashpër homoseksualitetin, tha ai, ata thonë pak për “bashkimet e parregullta” të tjera të identifikuara në deklaratën e Vatikanit, të tilla si çiftet heteroseksuale të pamartuara që jetojnë së bashku.

Dokumenti thotë se priftërinjtë mund t’i bekojnë gjithashtu. Ka pasur gjithashtu shumë raste në botën e priftërinjve që shkelin rregullat e beqarisë duke pasur fëmijë, por kjo nuk merr të njëjtin shqyrtim midis udhëheqësve të kishës, tha ai.

“Le të përballemi me faktet: Ka shumë homofobi në Afrikë,” tha At Pollitt.

Se si polemika mbi bekimin e çifteve të të njëjtit seks do luhet në afat të gjatë në Afrikë, mbetet një pyetje e hapur. Disa analistë thonë se mund të ketë shumë pak tension, kryesisht për shkak se pak çifte homoseksuale pritet të kërkojnë bekime.

“Unë nuk mendoj se ata do kishin guximin të prezantonin partnerët e tyre me prindërit e tyre, e lëre më të vinin për të marrë një bekim nga prifti,” tha Peshkopi Oballa.

Peshkopi Sipuka tha se Vatikani dhe udhëheqësit e kishës afrikane do gjenin përfundimisht një rrugë në diskutimet e tyre.

“Unë parashikoj një zbutje të pozicionit, ndoshta, nga disa që kanë reaguar shumë ashpër, pasi dokumenti shpjegohet dhe diskutohet,” tha ai.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times