Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli do e kishte tejet të vështirë luftën në dy fronte – Zyrtarët amerikanë


Një vlerësim sekret nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) në Uashington ka zbuluar se forcat izraelite do e kishin “të vështirë të kishin sukses” në një luftë me dy fronte kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban, raportoi të dielën Washington Post.

Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) janë përfshirë në shkëmbime zjarri me militantët e Hezbollahut që nga fillimi i luftës me Hamasin në tetor. Fillimisht e kufizuar në shkallë, goditja e Hezbollahut ndaj një baze të inteligjencës izraelite me raketa të shtunën në përgjigje të vrasjes së Izraelit ndaj një lideri të lartë të Hamasit në Bejrut disa ditë më parë, ka shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm.

Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar të bëjë një “ndryshim themelor” në gjendjen e sigurisë përgjatë kufirit libanez, zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar privatisht atë kundër hapjes së një fronti të dytë, raportoi Washington Post.

“Nëse do e bënte këtë, një vlerësim i ri sekret nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) zbuloi se do jetë e vështirë për Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të kenë sukses, sepse asetet dhe burimet e saj ushtarake do shpërndaheshin duke pasur parasysh konfliktin në Gaza”, duke cituar dy zyrtarë anonimë dhe një raport të klasifikuar nga DIA.

Ushtria e Izraelit është relativisht e vogël në kohë paqeje, duke u mbështetur te rezervistët për të rritur radhët e saj në kohë konflikti. IDF thirri rreth 360,000 rezervistë kur filloi lufta me Hamasin, megjithëse një zyrtar i lartë izraelit i tha Reuters javën e kaluar se një numër i pazbuluar së shpejti do lirohej nga detyra.