Vendosni fjalën kyçe....

Kryeministrja e Bangladeshit fiton mandatin e pestë


Kryeministrja e Bangladeshit Sheikh Hasina ka fituar një mandat të pestë në detyrë në zgjedhjet e përgjithshme të bojkotuara nga partia kryesore opozitare. Hasina ka qenë në pushtet për dy dekada dhe është kryeministrja më jetëgjatë e vendit.

Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën, media lokale raportoi se partia Aëami League e Hasinës kishte fituar 172 nga 225 vendet parlamentare për të cilat kishte të dhëna. Një numër përfundimtar për 300 vendet nuk do jetë i disponueshëm deri të hënën, por rezultatet e të dielës mbrëma tregojnë se Hasina është në rrugën e duhur për të siguruar një mandat të pestë në detyrë.

Fitorja e Hasinës nuk ishte asnjëherë në dyshim. Partia kryesore opozitare, Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP) bojkotoi zgjedhjet pasi mijëra anëtarë të saj u arrestuan në javët përpara votimit. Kjo bëri që çdo vend që nuk pretendohej nga Liga Aëami të ndahej midis një numri partish të vogla dhe kandidatëve të pavarur.

Zyrtarët e BNP-së e akuzuan Hasinën për manipulim të fitoreve të saj të mëparshme në zgjedhje dhe përdorim të forcave të zbatimit të ligjit kundër rivalëve politikë. SHBA-ja sanksionoi një njësi policore elitare të Bangladeshit në vitin 2021, duke akuzuar anëtarët e saj për vrasje pa gjyq.

Hasina është 76 vjeç dhe është kryeministrja më jetëgjatë e vendit. E bija e liderit të parë postkolonial të Bangladeshit, Hasina u shfaq si një figurë udhëheqëse që kundërshtonte juntën ushtarake që qeverisi vendin gjatë viteve 1980. Hasina shërbeu si kryeministre midis viteve 1996 dhe 2001 dhe përsëri nga viti 2009 e në vazhdim.

Bangladeshi është një nga prodhuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj në botë të veshjeve, dhe Hasina është përshëndetur për përmirësimin e pagave dhe kushteve të rreth katër milionë njerëzve që punojnë në industri.

Megjithatë, stanjacioni i pagave të shoqëruara me rritjen e kostove të ushqimit dhe karburantit kanë goditur ekonominë e vendit vitet e fundit, duke kulmuar me qeverinë e Hasinës që pranoi një paketë shpëtimi prej 4.7 miliardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar vitin e kaluar.

Të paktën 18 sulme me zjarrvënie u zhvilluan të premten dhe të shtunën, me dhjetë qendra votimi në shënjestër, raportoi Associated Press. Në incidentin më të rëndë, katër persona, duke përfshirë një fëmijë, u vranë kur një tren udhëtarësh me destinacion kryeqytetin, Daka, u dogj.

Policia fajësoi për sulmin BNP-në dhe arrestoi shtatë nga anëtarët e partisë të dielën. Partia mohoi çdo rol në incident.