Vendosni fjalën kyçe....

Ndalimi i Kishës Ortodokse të Ukrainës nga Zelensky mund të ketë pasoja të rënda – The Telegraph


Kërcënimi për të nxjerrë jashtë ligjit Kishën Ortodokse të Ukrainës do ketë pasoja të rënda për sa i përket integrimit të kombit në BE dhe vendit të tij në botën perëndimore, thonë juristët.

Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, është paralajmëruar se përpjekjet e vendit për të ndaluar kishën e saj më të vjetër dhe më të mbështetur gjerësisht të krishterë do “kishin pasoja të tmerrshme” për shpresat e tij për anëtarësimin në BE.

Presioni po rritet mbi udhëheqësit perëndimorë për të ndërhyrë për të ndaluar qeverinë e Ukrainës që të ndalojë Kishën Ortodokse të Ukrainës për shkak të lidhjeve të saj historike me Kishën Ortodokse Ruse.

Juristët ndërkombëtarë që veprojnë në emër të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Ukrainë i kanë shkruar kryeministrit britanik Rishi Sunak, presidentit amerikan Joe Biden dhe presidents së KE-së, Ursula von der Leyen, duke u kërkuar atyre t’i thonë Zelenskyt që ” të pezullojë përpjekjet për ndalimin e këtij institucioni historik”.

Ndërhyrja vjen pasi parlamenti i Ukrainës duket se do miratojë legjislacionin që do e shpallte jashtë ligjit Kishën Ortodokse të Ukrainës, pavarësisht se është më e madhja në vend, me 12,000 famulli.

Pavarësisht lidhjeve historike të Kishës Ortodokse të Ukrainës me Patriarkanën e Moskës, ajo pretendon se ka ndërprerë lidhjet me Rusinë, ka mbështetur pavarësinë e Kievit, ka mbështetur përpjekjet e qeverisë ukrainase për luftë dhe ka kritikuar pushtimin e Rusisë së Vladimir Putinit. Por kritikët thonë se ajo kurrë nuk ka shpallur autoqefalinë e plotë nga Moska.

Autoritetet ukrainase akuzuan Kishën Ortodokse të vendit se vijon të bashkëpunojë me Federatën Ruse dhe klerikët e saj janë përballur me ngacmime, frikësim, sanksione dhe burgim.

Një votim nga parlamentarët në Rada pritet nga mesi i janarit, i cili do shkojë shumë më tej, duke mbyllur në mënyrë efektive një kishë që ka qenë organi kryesor fetar në Ukrainë për shekuj.

Në një demonstrim grafik të ndarjeve fetare në vend, Ukraina ka braktisur zyrtarisht 7 janarin si ditën e saj të Krishtlindjes dhe këtë vit festoi festivalin më 25 dhjetor, së bashku me kishat e krishtera perëndimore sipas kalendarit Gregorian. Megjithatë, shumë adhurues kanë zgjedhur t’i përmbahen kalendarit të lashtë Julian dhe datës tradicionale të 7 janarit.

“Dëm serioz për ukrainasit ortodoksë”

Letra nga juristi ndërkombëtar Robert Amsterdam i Amsterdam & Partners LLP drejtuar udhëheqësve të SHBA-së, Britanisë dhe Bashkimit Evropian përshkruan ndalimin e propozuar të Kishës Ortodokse të Ukrainës si “një sulm tejet ndëshkues që do shkaktojë dëm serioz për ukrainasit ortodoksë”.

Ai shton: “Si një kandidate për t’u anëtarësuar në BE, me të gjitha detyrimet që kjo përfshin, tani ka një pikëpyetje shumë serioze nëse Ukraina mund të përmbushë angazhimet e saj për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Kjo do të ketë pasoja të tmerrshme për hyrjen e Ukrainës në Bashkimin Evropian dhe vendin e saj në botën perëndimore.”

Amsterdam është i ndaluar nga Rusia pasi përfaqësoi kundërshtarë të ndryshëm dhe kritikë të ashpër të Putinit.

Ai pretendon se Kisha Ortodokse e Ukrainës ka luajtur një rol jetik në mbështetjen e përpjekjeve të vendit në luftë, duke përfshirë “përdorimin e pranisë së saj të konsiderueshme në Evropë për të mbështetur refugjatët ukrainas”.

“Bashkëpunim me regjimin rus”

Sipas letrës: “Pavarësisht nga këto përpjekje, autoritetet në Ukrainë kanë akuzuar në mënyrë të rreme Kishën për bashkëpunim me regjimin rus. Shqetësues të veçantë janë arrestimet e klerikëve me akuza të rreme. Këto janë kryer në një mënyrë arbitrare që vënë në pikëpyetje angazhimin e Ukrainës për sundimin e ligjit. Madje ka edhe shenja shumë shqetësuese të manipulimit të provave në disa nga këto raste.”

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur tashmë shqetësime për lirinë fetare dhe sundimin e ligjit në goditjen e qeverisë ukrainase ndaj Kishës Ortodokse të Ukrainës.

“Precedent i rrezikshëm”

Amsterdam & Partners LLP, e cila ka zyra në Londër dhe Uashington, u ka dërguar tre udhëheqësve perëndimorë një “Letër të Bardhë” ose një dosje prej 25 faqesh që përshkruan në hollësi persekutimin e Kishës Ortodokse të Ukrainës dhe klerikëve të saj kryesorë gjatë viteve të fundit.

Amsterdam tha: “Sulmet e vazhdueshme ndaj Kishës Ortodokse, strukturave të saj institucionale, anëtarëve dhe besimeve të saj nga qeveria ukrainase përbën një shkelje të qartë të lirisë së fesë të garantuar si nga ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut ashtu edhe nga vetë Kushtetuta e Ukrainës.

“Përpjekjet e tanishme në Parlamentin të Ukrainës për ndalimin e plotë të Kishës do përbënin një precedent të rrezikshëm për minimin e lirive fetare që duhet të shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar në tërësi.”

VINI RE: Ky material është pronësi inteletuale e Telegraph

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani