Vendosni fjalën kyçe....

Opinion/ Vrasësit e Bedrie Lokës


Nga Anila Basha

Vetëvrasja me helmin fostoksinë e Bedrie Lokës, gruas, nënës se 4 fëmijëve që u denigrua si femër në Tik Tok mori treditëshin e radhës së vëmendjes publike. Vëmendje online me më shumë komente të gjinisë femërore, pa shumë mundim, në internet. Këtë po bëj edhe unë, po protestoj, duke shkruar e postuar këtë “sprovë”, me të vetmin ndryshim, se po e bëj ditën e pestë të “çudisë”.

Kam edhe interes personal, përveç profesionalit. Unë vetë, bashkë me familjarë të mi, jemi bullizuar në të njëjtën formë, si e Bedries. Por, ne nuk e vramë veten. A sepse nuk kemi sedrën e Bedries ose Xhemalin e saj? Apo ngaqë nuk jetojmë në Vadardhë të Sukthit të Durrësit, ku e vetmja mundësi që të dalësh disi e larë nga një damkosje lokale morale, është vdekja?! Këtë nuk di ta them me siguri.

Bedrie Loka gruaja që lindi dhe rriti, 3 djem: 21 vjeç, 18 vjeç, 16 vjeç dhe 1 vajzë 10 vjeçe, ishte vetë në vitin e 41-të të jetës. Punonte si kafshë tërë ditën sa në fasoneri, sa në shtëpinë e fshatit, ku duhej të kujdesej për 4-fëmijët e gjithçka tjetër mbijetese, pa burrin në krah, Xhemalin, emigrant.

Në dhjetor 2022, Bedries i hapën në Tik Tok një profil falso me foton e saj, ku shkruhej: “Kjo është k**** e fabrikës së Sukthit k******* e Sukthit kjo q**** me lekë”.

Dikush ia donte të zezën Bedries, punëtorët e fasonerisë, kushërirat e saj?! Dikush që e urrente aq shumë sa ta damkoste fort në Tik Tok, si “kurvën” e fshatit. Dikush që postonte komente dhe filmime denigruese, për ta përvëluar moralin e saj. Ku? Në fshatin Vardardhë. Në fasonerinë e Fllakës. Madje në mbarë Sukthin pranë Durrësit.

Bedrija e tronditur dhe pa përkrahje, nxitoi në ditët e fundit të 2022, ta denonconte në Polici këtë masakër Tik Toku, duke u lutur të gjendeshin fajtorët dhe të mbyllej profili falso që po i dërrmonte fëmijët, më shumë se atë vetë.

Policia, prokuroria dhe fasoneria, për plot 1-vit nuk i gjeti fajtorët. Damka dhe komentet e “kurvës së Sukthit”, në foton Tik Tok të Bedries, mbeten gjatë aty, nuk u hoqën. Bedrie Loka hoqi dorë nga jeta e saj, duke u vetëflijuar në 2 Janar 2024. Në grahmat e fundit të frymës, i tha të birit: “Unë për nder rroj…mamanë nuk e ke ashtu si thonë”.

*****

Pas vdekjes dëshpëruese të Bedrie Lokës, filloi masakra e dytë ndaj saj. Kërkimi i fajtorëve, i drejtësisë, pikërisht nga ata që e çuan Bedrien, në farmaci, për të blerë helmin. Mediatizimi i një ngjarje, përkon si gjithnjë me shtetin “në këmbë”. Të gjithë në mbrojtje të Bedries, tashmë që ajo është e vdekur.

Dhe, aty-për-aty, shteti i “Sukthit” tregohet profesionist dhe kategorik. Zbulon “fajtorin”. Arreston bashkëshortin e Bedries, brenda në shtëpi, e rras brenda, i gjen një automatik model ‘97 në plevicën ku jetonte bashkë me Bedrien dhe 4- fëmijë. I sekuestron telefonin. Aty sherifi i Sukthit lexon çudira. Xhemali i shkruante si harbut mesazhe kërcënuese Bedries, i çonte “Tik-Tokun” e saj. I kërkonte llogari ‘kurvës së fshatit, nuses së Xhemalit’.  E pra! Ja, pikërisht për shkak të një hetimi të thellë dhe intensiv të Policisë së Sukthit, u gjet fajtori dhe arma e krimit. Ai është Xhemal Loka që me telefonin dhe sjelljen e tij kriminale ndaj bashkëshortes, shkaktoi vetëvrasjen e saj. Ndërkohë që, ekspertët kibernetikë të Sukthit, prej një viti janë në fund të hetimit dhe po zbulojnë se kush e hapi adresën e TikTok me profilin fals të Bedrie Lokes.

Ja pra, ngjarja u sistemua. Media u vu në ullukun e lajmit të drejtësisë, me të njëjtin stil të njëtrajtshëm komunikate.

 *****

Po të shkruaj diçka për indiferencën e organeve shtetërore, mungesës së drejtësisë në çdo hallkë të saj, do duket sikur përsëris klishenë “Serbia nuk e njeh Kosovën”.

Po e tentoj ndryshe. Sikur gruas së Sherifit të Sukthit apo Prokurorit të Durrësit, gruas së Metanit apo Dumanit, pa harruar bashkëshortet e KLGJ-istëve apo KLP-istëve, t’u hapej nga një profil falso në Fb ose TikTok e të etiketoheshin si Bedrija, por në vend të fabrikës së Sukthit të vendosej ‘fabrika e drejtësisë, policisë, prokurorisë’ e ku gruaja që do damkosej ta bënte adulterinë jo për lekë, por ca më keq ‘për qejf’, çdo bënte magjistrati ynë vallë? Po Sherifi i Sukthit apo ai i Durrësit?

Do prisnin një vit në pritje të fostoksinës? Do kritikonin gruan me mesazhe etike, se mos ky ngacmim publik mund të kishte diçka të vërtetë, apo më me qytetari akoma, do prisnin me vetëmohim, reagimin, si i thonë “kryesisht” të shtetit ligjor edhe pse gruaja bashkëshorte nuk kishte protestuar fare me denoncim…

Natyrisht që do ngrihej shteti me gjithë TikTok në këmbë në një rast të tillë. Hakun e nderit të gruas së “shtetit”, shteti e merr gjithmonë.

Më kujtohet një episod natën e së hënës të 21 korrikut 2008, në parlamentit shqiptar:

Sali Berisha: Fundërrinë do të bëhet jot motër? Prostitutë motelesh do të bëhet?

Taulant Balla: Po si nuk të vjen turp…

Sali Berisha: Dëgjo o qelbësirë mu…më kupto apo jo. Jot motër të shkër…. hoteleve apo moteleve?

Taulant Balla: O zotëri të vijë turp për këto që thua.

Taulant Balla kallëzon Sali Berishën para nja dy vitesh në SPAK, në emër të Politikës. Në 30 Dhjetor 2023, ditën kur bleu fostoksinën Bedrija, Sali Berisha u vendos në “arrest në shtëpie”. Taulanti dërgon tek dera e Saliut, Pëllumb Mollën, policin e tij besnik, për t’u sigururar se “haka e motrës” i shkoi në vend.

Pra, është çështje nderi, jo politike apo drejtësie si mendojnë shumë komentues të ngjarjes tre ditore të Sukthit…

Po hakën e Bedries dhe shumë të tjerave kush do e marrë?

Kjo është pyetja për vrasësit e saj.