Vendosni fjalën kyçe....

Për herë të parë në 50 vite, anija amerikane nis udhëtimin drejt Hënës


Anija amerikane e hapësirës “Peregrine” u nis drejt hapësirës të hënën, për herë të parë 50 vjet pas uljes së njeriut në Hënë, duke nisur kështu një garë mes kompanive private për të dërguar objekte në Hënë.

Por rreth shtatë orë pas ngritjes, kompania “Astrobotics” njoftoi se paneli diellor i anijes nuk po pozicionohej si duhet për të përdorur energjinë diellore. Zyrtarët e kompanisë thanë se janë duke hetuar problemin.

Anija hapësinore e kompanisë nga Pitsburgu u nis për në Hënë përmes raketës së re “Vulcan”. Raketa u lëshua nga Florida para agimit, ndërkohë që anija, ishte planifikuar të ulej në Hënë më 23 shkurt, përmes një trajektoreje të tërthortë.

Kompania “Astrobotics” synon të bëhet biznesi i parë privat që ulet me sukses në Hënën, një arritje që deri tani është realizuar vetëm nga katër shtete.

Agjencia e hapësirës dëshiron që anijet kozmike të kompanive private të hulumtojnë paraprakisht vendin e uljes në Hënë, para dërgimit në të të astronautëve dhe që të realizojnë eksperimente teknologjike dhe shkencore për NASA-n, shtete tjera dhe universitete, si dhe duke u angazhuar me porosi të ndryshme për klientë të tjerë. Kontrata e kompanisë “Astrobotics” për anijen kozmike “Peregrine” ishte 108 milionë dollarë.

Çmimet e dërgesave në anijen kozmike “Peregrine” kapin shifrat prej disa qindra dollarëve deri në 1.2 milionë për kilogramë, që as për së afërmi nuk i afrohen kompensimit të shpenzimeve të kompanisë “Astrobotics”. Por, sipas zyrtarëve të kompanisë, në këtë fluturim të parë ky as nuk ishte qëllimi.