Vendosni fjalën kyçe....

Tre muaj pas sulmit të 7 tetorit Izraeli po hyn në një fazë të re të luftës me Hamasin


Tre muaj më parë, duke folur me qytetarët e tronditur nga një ditë e tmerrshme sulmesh nga Hamasi, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bëri një premtim.

“Ushtria izraelite do përdorë menjëherë të gjitha forcat e saj për të shkatërruar aftësitë e Hamasit”, tha Netanyahu.

“Ne do t’i shkatërrojmë ata.”

Tani, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) po kalojnë në një fazë të re të luftës kundër Hamasit në Gaza dhe ka shenja se edhe objektivat e saj po ndryshojnë.

“Të dhënat nuk janë shumë miqësore ndaj fushatave ushtarake që kërkojnë të zhdukin lëvizjet politike ushtarake që janë të rrënjosura thellë,” tha për CNN Bilal Y. Saab, një bashkëpunëtor në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në “Chatham House”.

“Udhëheqja e IDF-së e kupton shumë mirë se më e shumta që mund të bëjnë është të degradojnë rëndë aftësitë ushtarake të Hamasit”, tha Saab.

Izraeli ka parë disa suksese në këtë drejtim; forcat e saj pretendojnë se kanë vrarë mijëra luftëtarë të Hamasit, duke përfshirë disa anëtarë të rangut të lartë, dhe kanë çmontuar disa pjesë të rrjetit të gjerë të tuneleve të grupit nën enklavë.

Por sfidat mbeten ende dhe fundi duket ende larg. Pak vende në luftë vendosin afate. Zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar për një luftë të gjatë që mund të shtrihet gjatë gjithë vitit 2024 dhe më tej.

Ajo do shpaloset përpara një komuniteti ndërkombëtar që është gjithnjë e më i tronditur nga kriza e jashtëzakonshme humanitare dhe vdekjet në rritje të civilëve në Gaza.

Dhe ndërsa presioni ndërkombëtar rritet, po ashtu rritet edhe shqetësimi i brendshëm ndaj Netanyahut, një kryeministër me jo pak probleme dhe i etur për t’i treguar publikut fitoret e prekshme.

“Ka një garë me kohën,” tha Saab, duke përshkruar pyetjet kryesore me të cilat përballet udhëheqja e Izraelit.

“Me çfarë çmimi do të vijë ky sukses taktik dhe sa kohë u duhet izraelitëve për ta arritur atë sukses taktik pa vuajtur nga zemërimi më i madh ndërkombëtar?”

Një “qasje e re luftarake”

Shkatërrimi i Hamasit, qëllimi që Netanyahu shpalli më 7 tetor, ishte i lartë, i pakapshëm dhe, sipas shumë analistëve, i pamundur.

“Ky lloj misioni nuk mund të përfundojë, ne e kemi parë të dështojë gjatë viteve shumë herë”, tha Saab.

Ndikimi i Hamasit shtrihet shumë përtej Gazës, që do të thotë se një shkatërrim  i plotë i grupit është të paktën shumë ambicioz për Izraelin, nëse mund të arrihet ndonjëherë.

Në një fjalim për përvjetorin e sulmeve, Netanyahu përsëriti qëllimet e tij për luftën: “Do zhdukim Hamasin, do kthejmë pengjet tona dhe do sigurojmë që Gaza të mos jetë më një kërcënim për Izraelin”.

Por mbetet e paqartë nëse udhëheqja e IDF-së e vendos eliminimin e Hamasit në krye të prioriteteve të saj. Shefi i inteligjencës së IDF-së Gjeneralmajor Aharon Haliva la jashtë shkatërrimin e Hamasit kur renditi qëllimet ushtarake në një fjalim të enjten, vunë në dukje media izraelite.

Dhe gjithashtu të enjten, ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant shpalosi planet për fazën tjetër të luftës në Gaza, duke theksuar një qasje të re luftarake në veri dhe një fokus të qëndrueshëm në shënjestrimin e liderëve të Hamasit që dyshohet se janë të pranishëm në territorin jugor të enklavës.

Në fazën e tretë, operacionet e IDF-së në Gazën veriore do përfshijnë “bastisje, shkatërrim të tuneleve terroriste, aktivitete ajrore dhe tokësore dhe operacione speciale”, sipas Gallant.

“Kjo fazë do të jetë më pak intensive, por do të marrë më shumë kohë,” tha për CNN Yohanan Plesner, President i Institutit të Demokracisë së Izraelit dhe një ish-anëtar i parlamentit Knesset për partinë Kadima.

Nëse objektivi më i mundëshëm është një zvogëlim i madh i aftësive luftarake të Hamasit, shumë analistë thonë se është bërë përparim i prekshëm në tre muajt e fundit.

“Përkufizimi i suksesit nuk do jetë kapja ose vrasja e të gjithë operativëve të Hamasit, por sigurimi që Hamasi të mos mund të qeverisë më efektivisht Rripin e Gazës”, tha Plesner.

“Hamasi është i organizuar si një ushtri, me qendra komandimi dhe kontrolli, regjimente dhe brigada. Kjo strukturë komanduese po sfidohet dhe çmontohet seriozisht.”

Duke iu drejtuar gazetarëve në Tel Aviv, Netanyahu tha javën e kaluar se ushtria izraelite “po lufton me forcë dhe sisteme të reja mbi dhe nën tokë” dhe pretendoi se kishte vrarë 8,000 luftëtarë të Hamasit në Gaza, sipas Radio Army.

CNN nuk mund ta verifikojë këtë shifër. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se rreth 23,000 njerëz janë vrarë në territor që nga fillimi i luftës. Ministria nuk bën dallim midis civilëve dhe luftëtarëve, por si ministria në Gaza ashtu edhe ajo homologe e saj në Bregun Perëndimor të pushtuar sugjerojnë se afërsisht 70% e të vrarëve ose të plagosurve janë gra dhe fëmijë.

Izraeli besonte se Hamasi kishte rreth 30,000 luftëtarë në Gaza përpara se të fillonte lufta më 7 tetor, tha Forcat e Mbrojtjes të Izraelit për CNN në dhjetor. Luftëtarët ndahen në pesë brigada, 24 batalione dhe afërsisht 140 kompani, tha IDF për CNN, secila me aftësi të ndryshme duke përfshirë raketa antitank, snajperë dhe inxhinierë, si dhe grupe raketash dhe mortajash.

“Gjueti” për krerët e Hamasit

Izraeli ka pretenduar gjithashtu njëfarë suksesi në shënjestrimin e boshteve të tunelit të Hamasit, një kompleks jashtëzakonisht i vështirë për t’u depërtuar nga trupat. IDF-ja publikoi një video këtë javë, e cila thotë se tregon çmontimin e një rruge tuneli nën Spitalin Al-Shifa, kompleksi më i madh mjekësor në Gaza, duke akuzuar Hamasin për gërmimin e tij poshtë  spitalit.

Muajin e kaluar, ajo publikoi video të tjera që tha se tregonin një rrjet tunelesh që lidhen me rezidencat dhe zyrat e drejtuesve të lartë të Hamasit, duke përfshirë Ismail Haniyeh, Yahya Sinëar dhe Muhammad Deif.

Por qëllimi më i madh për të gjetur dhe vrarë udhëheqësit më të rëndësishëm të Hamasit në Gaza i ka shpëtuar Izraelit deri më sot.

“Këtu është mbret inteligjenca,” tha Saab.

Gallant dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur rëndësinë e përpjekjeve të tyre për të eliminuar komandantët e lartë të Hamasit, me ministrin e Mbrojtjes që u zotua në fund të dhjetorit se Sinëar do i “takonte së shpejti tytat e armëve tona”.

Një figurë prej  shumë kohësh në grupin palestinez islamik, Sinëar ishte përgjegjës për ndërtimin e krahut ushtarak të Hamasit përpara se të krijonte lidhje të reja të rëndësishme me fuqitë rajonale arabe si udhëheqësi civil dhe politik i grupit.

“Organizatat si këto zëvendësojnë komandantët shumë lehtë. Unë nuk mendoj se dikush është i pazëvendësueshëm në Hamas”, tha Saab.

“Por nëse i hiqni krerët simbolikë të organizatës, duhet parë nëse kjo mund të ketë një efekt me peshë, veçanërisht me njerëzit që kanë përgjegjësi ushtarake.”

Duket e pamundur që faza e re e luftës së Izraelit të sjellë lehtësim për palestinezët e bllokuar në Gaza, ku një krizë humanitare është rritur në nivele të jashtëzakonshme.

Por Netanyahu mund të ketë më shumë gjasa të përkulet përballë presionit të brendshëm, i cili është rritur veçanërisht për shkak të robërisë së vazhdueshme të më shumë se 100 pengjeve të marra nga Hamasi më 7 tetor.

Izraeli beson se 25 pengje kanë humbur jetën dhe ende mbahen në Gaza, tha zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu të premten për CNN. Sipas saj 107 pengje nga sulmi i Hamasit vitin e kaluar mendohet se janë ende gjallë.

Kthimi i atyre pengjeve mbetet një synim në fazën e re të luftës, por dështimi për të patursukses do shtonte presionin politik mbi një udhëheqës si Netanyahu, popullariteti i të cilit në mesin e izraelitëve ka rënë që nga 7 tetori.

“Që nga dita e parë, kishte një pabarazi të qartë. Ka mbështetje për qëllimet e luftës dhe për IDF-në por besimi në qeverinë izraelite është në nivelin më të ulët historik,” tha Plesner.

“Ka një hendek të madh.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani