Teksa prej ditësh, simpatizantë të shumta mblidhen poshtë banesës ku ish-kryeministri, Sali Berisha është nën “arrest shtëpiak”, ka reaguar nënkryetari i Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha, Roland Bejko.
Përmes një postim i në rrjetin social Facebook, Bejko shkruan se manovra e disa individëve për t’i shërbyer Sali Berishës në betejën e tij kundër drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe tregon mjerimin e tyre.
Sipas Bejkos, hallet e Berishës dhe atyre që sot bëjnë tellallin e tij nëpër media, nuk janë problemet e PD-së, ndërsa shton se prioriteti i Partisë Demokratike është vetingu i politikanëve dhe hartimi i një programi për nxjerrjen e vendit nga kriza.
Postimi i plotë:
Manovra e disa individëve për t’i shërbyer Sali Berishës në betejën e tij kundër drejtësisë, SHBA dhe Britanisë së Madhe tregojnë mjerimin e tyre. Dy njerezit më të interesuar sot për shkatërrimin e SPAK dhe institucioneve të drejtësisë janë Sali Berisha dhe Edi Rama. Ata kanë qenë dhe janë bashkë prej dy vjetësh në betejën kundër drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Për të njëjtat arsye, për të mbrojtur veten dhe familjarët e tyre.
Pretendojnë se janë opozitë dhe ditë për ditë sulmojnë SPAK, SHBA, Britaninë e Madhe, është të vazhdosh t’u hedhësh hi syve demokratëve që mbajnë zvarrë me lloj lloj gënjeshtrash e mashtrimesh prej më shumë se dy vjetësh, ndërkohë hipokritët “opozitarë,” nga ana tjetër vazhdojnë të marrin tendera e leje ndërtimi nga pushteti i Ramës.
Hallet e Sali Berishes dhe atyre që sot bëjnë tellallin e tij nëpër media, nuk janë problemet e PD.
Interesi i PD është t’u garantohet vota emigrantëve dhe shqiptarëve të zgjedhin vetë deputetin e tyre përmes listave të hapura. Prioriteti i PD është vetingu i politikanëve, hartimi i një programi për ta nxjerrë vendin nga kriza dhe ofrimi i një alternative që u kthen shpresën dhe besimin njerëzve te vendi dhe politika.
Kjo është platforma që bashkon çdo shqiptar e politikan që kërkon që Shqiperia të ndryshojë.
Lojtar për ta shndëruar PD në mburojë të Sali Berishës kane marrë fund shumë kohë më parë.